Në Londër po mbahet seanca e dytë gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës së shtetit shqiptar lidhur me ekstradimin e katër personave, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin, më 19 prill për gjakmarrje. Përpara gjykatësit të specializuar për ekstradimet, Michael Snow kanë dalë Edmond Haxhia, si dhe tre britanikët Steven Hunt, Thomas Mithan e Harriet Bridgeman. Prokurorja Zoe Lash përfaqëson Shqipërinë që kërkon ekstradimin.
Përmes avokatëve, të katër të arrestuarit lidhur me vrasjen e Ardian Nikulajt, depozituan kërkesat për liri me kusht kundrejt bllokimit të pasaportës, monitorimit elektronik, paraqitjes çdo javë në një stacion policie dhe garancive pasurore. Të katërta këto kërkesa janë kundërshtuar nga prokurorja Zoe Lash. Orët në vijim, gjykatësi Michael Snow pritet që të japë vendimin për pranimin ose jo të ndryshimit të masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në liri me kusht.
Një ditë para se të kryente porosinë për të vrarë Ardian Nikulajn, Ruben Saraiva kishte udhëtuar për të disatën herë nga Shkodra drejt Shëngjinit. Ai ndiqte një taktikë, sipas së cilës gjysmën e rrugës e bënte me automjetin e marrë me qira nga Edmond Haxhia dhe tjetrën me motorin, me të cilin u largua nga skena e krimit. Për portugezin në kërkim, drejtësia shqiptare u thotë britanikëve se provat që e lidhin me Haxhinë janë të pakundërshtueshme.
Sipas shkresave që i janë dorëzuar britanikëve e që Top Channel pati mundësi t’i lexojë, përmendet se krahas ADN-së, mjeti i marrë me qira nga porositësi Edmond Haxhia dhe i përdorur nga vrasësi, i bën më të plota dyshimet kundër tyre.
Po kështu, akti noterial për blerjen e motorit, si dhe pritje-përcjelljet në aeroport të katër vëzhguesve, ku në pozitë më të vështirë ndodhet informatori Simpson, gjithashtu në kërkim. Pas sinjaleve që Simpson dha në vëzhgim e sipër, portugezi arriti të realizoje krimin, për të cilin erdhi në Shqipëri, bashkë me Haxhinë e anglezët e tjerë me të njëjtin rol. Këto prova do të shqyrtohen sot nga drejtësia britanike.