Një tragjedi familjare ka ndodhur në Pieve di Camaiore, në provincën e Luccas në Itali, ku një burrë 63-vjeçar vrau gruan dhe djalin e tij brenda banesës së tyre duke përdorur një pushkë gjuetie. Mediat italiane shkruajnë se, viktimat janë Kathy Andreoni, 52 vjeçe, dhe djali i saj Mirko Moriconi, 24 vjeç. Ndihma e personelit të urgjencës, i cili ndërhyri me ambulanca dhe helikopter mjekësor, rezultoi e kotë pasi për të dy nuk kishte më asgjë për t’u bërë.
Alarmin e dhanë disa fqinjë, të shqetësuar nga ajo që po ndodhte në banesë. Në vendngjarje mbërritën karabinierët dhe policia, të cilët ndaluan 63-vjeçarin, i cili ndodhej ende në shtëpi. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Piero Moriconi e justifikoi veprimin e tij me një fjali të thënë përpara të afërmve dhe të njohurve që kishin mbërritur në vendngjarje: “U çlirova prej tyre”.
Ai gjithashtu tregoi se e kishte vendosur në vend pushkën e përdorur për vrasjen e dyfishtë pasi kishte qëlluar. Sipas informacioneve të para të mbledhura nga hetuesit, djali kishte qenë për drekë te disa të afërm dhe ishte kthyer në shtëpi rreth orës 14:30. Pak më vonë, për arsye që ende po hetohen, babai mori armën e gjuetisë dhe hapi zjarr ndaj gruas dhe të riut.
Disa banorë të zonës kanë treguar se në familje ekzistonin tensione dhe konflikte. Megjithatë, askush nuk do ta kishte imagjinuar një përfundim kaq tragjik. 63-vjeçari u shoqërua në komisariat nga karabinierët. Hetuesit po mbledhin dëshmi dhe po verifikojnë natyrën e mosmarrëveshjeve familjare që mund të kenë paraprirë këtë tragjedi.