Do të qëndrojë në burg 40-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e bashkëshortëve Kreshnik e Gentjana Mujeci, në fshatin Balldren të Lezhës. Vendimin e dha Gjykata e Lezhës, pas kapjes së Besnik Kolndreut në Ulqin.
Gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë, ai mohoi çdo përfshirje në ngjarje dhe deklaroi se jeton e punon në Mal të Zi.
Sipas Kolndreut, autorët e krimit fshehën automjetin e përdorur në vrasje pranë banesës së prindërve të tij të moshuar në Torovicë, pa e vënë në dijeni.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe caktoi ndaj 40-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, tre të dyshuarit kryesorë për krimin, Renato, Florin e Adriano Mhillaj, vijojnë të jenë në arrati.
Kreshnik dhe Gentjana Mujeci u qëlluan me breshëri plumbash më 26 prill, teksa lëviznin me automjetin e tyre në aksin Balldren-Torovicë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se vrasja u krye për motive hakmarrjeje.