Prokuroria e Posaçme dyshon se për vrasjen e rreth një viti më parë të Elis Roshkodolit u angazhua një grup kriminal i krijuar për të marrë hak për ngjarje të ndodhura jashtë vendit, nga ku ishte kthyer viktima. Deri tani, për atentatin janë në burg Voltan Xhani dhe kushëriri i tij që punonte në servisin e marrë me qira. Në kërkim mbetet Dritan Milani, për të cilin ka dyshime se ishte në shënjestër të një atentati të mëparshëm.
SPAK-u rindërtoi skenën e krimit.
I riu po pinte kafe me një shok kur u qëllua për vdekje nga një person që mbante maskë COVID-i. Në vendngjarje, vrasësi shkoi me një mjet me targa të vjedhura në Malin e Zi dhe rrugës, targat u ndryshuan me të tjera që ishin denoncuar si të humbura nga një shtetas gjerman, i hetuar në Gjermani për skema mashtruese.
Nga verifikimi i dhjetëra kamerave të sigurisë deri në një servis të marrë me qira, prokurorët kanë bindjen se dyert e hapura të mjetit për vrasësin, tregojnë se atë po e prisnin dy ndihmës. Në lidhje me ngjarjen kanë dëshmuar disa persona.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha siguroi dëshminë e personit që po pinte kafe me viktimën në momentin e ngjarjes.
Në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, u pyet shtetasi I.B, i cili ka deklaruar se është me profesion elektroauto. Ka një mjedis të vetin në lagjen “Ahmet Haxhija” në Shkodër, pikërisht përballë shkollës “Salo Halili” dhe punon me makina të ndryshme, lidhur me probleme e defekte elektrike. Thekson se rreth orës 11:00 ka filluar punën. Elisin e ka patur shok fëmijërie, sepse janë rritur bashkë në lagjen “Ahmet Haxhija”.
Dikur e ka patur ndihmës atë dhe të vëllanë. Tregon se rreth orës 12:00, Elisi i shkoi me makinën e tij, tip “BMW” ngjyrë e zezë. Elisi i tha se i është prishur makina korrëse e barit dhe i kërkoi të shkonin bashkë te shtëpia e tij për ta parë se çfarë problemi kishte e për ta rregulluar.
Makinën e tij ia ka dhënë Elisit që prej tre a katër ditësh, sepse ai kishte shitur makinën e vet. Tregon se para se të shkonin te shtëpia janë futur në një kafene, që mesa di ai quhet “Klubi i Gjuetarit”. Ky lokal ndodhet në rrugën që lidh stadiumin me unazën perëndimore.
Pas rreth 10 minutash qëndrimi, tregon se përballë tyre, në një distancë rreth 3-4 metra, vuri re një person në dukje mashkull, me trup mesatar, i cili kishte një maskë COVID-i në fytyrë e një armë që i është dukur si e gjatë, në dorë. Ky person duket se hyri nga dera e jashtme e verandës së lokalit ku ishin duke pirë kafe. Iu afrua pa folur asnjë fjalë dhe qëlloi në drejtim të Elisit disa herë.
Deklaron se ai vetë u nis për të ikur nga frika dhe në ikje e sipër u rrëzua. Mban mend se autori i drejtoi armën edhe atij në afërsi. Tregon se bërtiti që nuk kishte punë e lidhje me asgjë dhe më pas autori u largua nga lokali e nuk ka mundur ta shohë se nga cila rrugë lëvizi. Thekson se ka arritur të dallojë vetëm momentin kur qëlloi autori.
Mesa i kujtohet në këtë moment, ai po përziente kafen. Ka parë një person me gjatësi rreth 175 cm i gjatë, trup mesatar, flokët nuk ka arritur t’i dallojë, në fytyrë ka patur një maskë COVID-i si me ngjyrë të bardhë, nuk ka arritur të fiksojë gjë tjetër lidhur me karakteristikat e tij. Në dorë, autori ka patur armën që atij iu duk e gjatë.
Elisi ka patur në përdorim një mjet “Audi Q5”, i zi, me targa shqiptare. Mesa di, para rreth dy javësh, ia ka dhënë shtetasit Valmir Kotrri duke e ndërruar me “BMW”-në e zezë. Para rreth një jave, Elisi i ka kërkuar që të blejë BMW-në. Sipas tij, shkaku qe se kishte mbetur pa lekë dhe donte të ikte jashtë shtetit. Deklaruesi i ka thënë që nuk donte të blinte makinë. Tregon se viktima i ka mbushur mendjen për ta blerë me vlerë 2 milion e gjysmë lekë të vjetra dhe tre-katër ditë para ngjarjes ia dha dy milion.
Sqaron se ka patur për t’i dhënë edhe 500 mijë lekë. Nuk i ka shprehur që ka probleme apo konflikte me njeri, por në dukje, dukej se vazhdimisht ishte i stresuar. Telefonin e përdorte rrallë. Deklaron se nuk mund ta njohë autorin nëse do e shihte me aq sa ka fiksuar në vendngjarje. Nuk ka konstatuar gjë të dyshimtë kur Elisi ka qenë tek servisi i tij.
Tregon se kohët e fundit, lokalin e kanë frekuentuar tre ose katër herë. Mesa di ai, Elisi e ka frekuentuar më shumë herë vetëm. Ka dijeni se babanë nuk e ka patur. Mesa ka dëgjuar ia kanë vrarë kur ishin të vegjël. Janë rritur jetimë bashkë me një vëlla që e quanin Taulant, i cili mesa i kujtohet ka vdekur në një aksident para disa vitesh në Elbasan. Për konflikte të tjera nuk ka patur dijeni.
Deklaruesi tregon se në Shqipëri, mesa di ai, nuk ka patur asnjë aktivitet. Ka qëndruar shumë vite në Belgjikë-Francë, por kishte rreth 2-3 vite i kthyer nga jashtë shteti. Nuk ka dijeni nëse ka qenë më jashtë shtetit. Nuk ka dëgjuar asnjë fjalë të autorit apo komunikim. Mban mend se përballë tyre ka qenë një i moshuar. I kujtohet të ketë patur edhe persona të tjerë në lokal, por fiks nuk mund të thotë sa kanë qenë, theksohet në dosje.