Aktualitet

“Egli më ngacmonte”/Merret në pyetje bashkëshortja e autorit të vrasjes në Tiranë!

Pas vrasjes me thikë të 31 vjeçarit Egli Pashollari, dje në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë, policia mori në pyetje bashkëshorten e autorit të dyshuar, Gazmend Buçpapa, i cili ende është në kërkim.

Raportohet se para bluve, dëshmoi se viktima e ngacmonte shpesh dhe i kishte treguar të shoqit për këtë situatë, çka dyshohet se ishte shkaku për nisjen e konfliktit që çoi në vrasje. Pashollari u sulmua kur sapo doli nga automjeti i tij.

Pas marrjes në pyetje, gruaja u la e lirë. Dëshmi dhanë edhe familjarë të viktimës, të cilët deklaruan se nuk kishin dijeni për situatën e krijuar.

Sipas hetimeve, Buçpapa, me bashkëshorten dhe një tjetër person, dje rreth orës 15:40, u përfshinë në përleshje me Pashollarin, i cili u godit me thikë dhe humbi jetën rrugës për në spital.

Pas ngjarjes, autorët u larguan me makinën e Buçpapës, që më pas e braktisën, për të vijuar lëvizjen me taksi drejt zonës së Sharrës.

Policia vijon kërkimet për kapjen e Gazmend Buçpapës, teksa hetimet po përqendrohen te roli i personave të tjerë të përfshirë.