Hillary Clinton akuzon administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për një “mbulim” në lidhje me mënyrën si janë trajtuar dosjet që lidhen me financierin e akuzuar pwr trafikim të miturish dhe abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Nxirrini dosjet! Po i zvarrisin, tha ish-sekretarja amerikane e Shtetit për BBC-në në Berlin, ku mori pjesë në Forumin vjetor Botëror.
Shtëpia e Bardhë këmbëngul se duke publikuar dosjet, ka bërë “më shumë për viktimat se demokratët ndonjëherë”.
Kur u pyet nëse Andrew Mountbatten-Windsor duhet të paraqitet përpara një komiteti të Kongresit, Hillary Clinton tha:
Mendoj se të gjithë duhet të dëshmojnë, nëse iu kërkohet të dëshmojnë.
Përmendja në dosje nuk përbën tregues fajësie. Andrew mohon çdo shkelje.
Clinton-ët pritet të paraqiten para Kongresit. Bill Clinton, më 27 shkurt, ndërsa Hillary Clinton, më 26. Do të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një paneli të Kongresit që nga viti 1983, kur kjo ndodhi me Gerald Ford-in.
Bill Clinton, i përmendur në dosje, ka qenë i njohur me Epstein-in, por pretendon se kontaktet me të, i ndërpreu dy dekada më parë. Asnjëri prej Clinton-ëve nuk është akuzuar nga të mbijetuarit e abuzimeve të Epstein-it dhe të dy kanë mohuar se kishin dijeni për veprimtarinë e tij kriminale në atë kohë.
Miliona dokumente të reja në lidhje me Epstein-in u bënë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në fillim të këtij muaji, pasi Kongresi miratoi një ligj që kërkon publikimin e materialeve që lidhen me hetimet ndaj tij.
Departamenti i Drejtësisë (DoJ) deklaroi se ka publikuar të gjitha dosjet e kërkuara nga Akti për Transparencën e Dosjeve Epstein, por ligjvënësit argumentuan se publikimi nuk është i mjaftueshëm. Përfaqësuesi republikan nga Kentucky, Thomas Massie, bashkautor i ligjit, kërkoi që DoJ të publikojë edhe memorandumet e brendshme që përshkruajnë vendimet e mëparshme nëse do të ngriheshin apo jo akuza ndaj Epstein-it e bashkëpunëtorëve.
Epstein vdiq në një qeli burgu në Nju Jork më 10 gusht 2019, ndërsa priste, pa të drejtë lirimi me kusht, gjyqin për akuza për trafikim seksual. Kjo ndodhi më shumë se një dekadë pasi ai ishte dënuar për kërkim prostitucioni nga një e mitur, për të cilën ishte regjistruar si shkelës seksual.
Andrew, ish-princi britanik, përballet me presion në rritje nga disa zyrtarë amerikanë dhe nga familja e akuzueses së tij të njohur, Virginia Giuffre, për të dëshmuar përpara Komitetit të Mbikëqyrjes mbi lidhjet me Epstein-in.
Clinton-ët kanë kërkuar që seanca e tyre para Kongresit të jetë publike, jo me dyer të mbyllura.
Do të paraqitemi, por mendojmë se do të ishte më mirë të ishte publike, tha Hillary. Unë thjesht dua që të jetë e drejtë, dua që të gjithë të trajtohen njësoj. Nuk kemi asgjë për të fshehur. Kemi kërkuar vazhdimisht publikimin e plotë të këtyre dosjeve. Mendojmë se drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë.