Rajoni

Vuçiç: Nuk ka bisedime me Kurtin derisa të lirohen të gjithë serbët në veri!

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se nuk do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti derisa të lirohet çdo serb i arrestuar dhe derisa të tërheqë policinë speciale në veri.

Deklaratën, Vuçiç e dha pas takimeve me kryeministrin dhe presidentin e Hungarisë në Paliq.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha se vendi i tij po i ndiqte ngjarjet në Kosovë dhe po shihte se çfarë po u bëhej serbëve, por ai i tha Vuçiçit se Serbia duhet të lironte tre policët e arrestuar të Kosovës.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Ai shtoi se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”.

 “Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.

Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë. Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse. Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim. Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar Serbisë që të lirojë policët e Kosovës, pa kushte.

Aleksandër Vuçiç ka theksuar kushtet për bisedën me Kurtin dhe ka thënë se atëherë duhet të diskutohet për formimin e Asociacionit.