Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha sot se “Beogradi po monitoron nga afër bashkëpunimin ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës”, duke pretenduar se Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm.
Ata po presin një moment të favorshëm. Ne po përgatitemi për sulmin e tyre, deklaroi Vuçiç në një intervistë me Radio Televizionin e Serbisë.
Vërejtjet e kreut të shtetit serb iu referuan një deklarate trepalëshe mbi bashkëpunimin në mbrojtje të nënshkruar nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, rreth një vit më parë në Tiranë, saktësisht, më 18 mars 2025 e që synonte forcimin e bashkëpunimit në siguri dhe ndërveprimit ushtarak.
Ne kemi raketa hipersonike kineze, ajër-tokë, me një rreze veprimi deri në 400 kilometra, vuri në dukje Vuçiç, duke i përshkruar ato si “ndër sistemet më të përparuara të armëve”.
Më tej u shpreh se Serbia mban marrëdhënie të mira me NATO-n, ndërsa vazhdon të ndjekë një politikë neutraliteti ushtarak.
Ne nuk duam të anëtarësohemi në NATO, ne do ta ruajmë neutralitetin tonë, por kemi marrëdhënie korrekte dhe të mira dhe do të vazhdojmë t’i ndërtojmë ato.