Ndërkaq nga qyteti i Durrësit, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u ndal te operacioni “Forca e Ligjit”. Xhafaj theksoi se është bërë skanimi i të gjitha grupeve kriminale, anëtarëve dhe drejtuesve të tyre, si dhe pasurisë që ata posedojnë, por goditja e tyre, kërkon kohë. Ndërkaq Xhafaj tha se: “Task Forca është vënë nën hetim të grupeve kriminale që janë 9 në shkallë vendi, një numër i cili për hir të së vërtetës është dhe këtu në Durrës. Jemi duke punuar fort për t’i goditur nga pikëpamja e ligjit. Jemi duke punuar ngushtë edhe me partnerët. Krahas ndëshkimit të tyre, jemi të fokusuar edhe tek hetimi dhe goditja e aseteve kriminale të tyre. Fuqia e tyre ekonomike nuk do të jetë më pronë e tyre, por do të kthehet në shërbim të qytetarëve. Nuk e pranoj faktin që 2 apo 3 grupe, janë grupe që kanë aktivitet të gjatë në shumë vite, ndoshta 10-15 vjet në qytetin e Durrësit dhe janë grupe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë karakteristika të këtij komuniteti. Përkundrazi, nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarët e Durrësit, Krujës, Fushë-Krujës e të Shijakut”, u shpreh Fatmir Xhafaj.