Në ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës u zhvillua Asambleja Vjetore e Federatës Shqiptare të Xhudos (FSHJ), një aktivitet i rëndësishëm për ecurinë dhe planifikimin e këtij sporti në vendin tonë. Asambleja u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë e sportistëve, trajnerëve, specialistëve të xhudos si dhe drejtuesve të shoqatave sportive anëtare.
Gjatë punimeve u diskutuan dhe u miratuan vendime me rëndësi për vitin e ardhshëm. Sipas rendit të ditës, Asambleja miratoi: Kalendarin e aktiviteteve sportive për vitin 2026 si dhe Projektbuxhetin e Federatës për vitin 2026.
Gjithashtu, Asambleja vendosi pranimin e tri shoqatave të reja sportive në strukturën e FSHJ: Akademia Kulturore Sportive Judo Studenti, Shoqata Judo Partizani dhe Shoqata Judo Balldreni.
Në këtë aktivitet mori pjesë dhe përshëndeti të pranishmit Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Gerti Shima, i cili vlerësoi punën dhe angazhimin e Federatës Shqiptare të Xhudos. Ndërkohë, presidenti i FSHJ-së, Drin Shkreta, falenderoi të gjithë komunitetin e xhudos në Shqipëri për kontributin dhe bashkëpunimin.