Një zbulim i papritur ka dalë në dritë rreth jetës personale të ikonës së muzikës dhe televizionit italiane, Raffaella Carrà. Sipas dokumenteve të një procesi gjyqësor në Romë, artistja kishte adoptuar në fshehtësi bashkëpunëtorin e saj më të afërt, i cili sot rezulton trashëgimtari i vetëm i pasurisë së saj. Bëhet fjalë për Gian Luca Pelloni Bulzoni, ish-sekretarin personal dhe menaxherin e artistes. Ai është personi që Carrà kishte adoptuar ligjërisht dhe që, për rrjedhojë, zotëron të gjitha të drejtat mbi emrin, imazhin, zërin dhe veprat artistike të saj.
Lajmi doli në dritë gjatë një mosmarrëveshjeje ligjore në Tribunale di Roma lidhur me shfaqjen teatrale Ballo Ballo. Bulzoni kërkoi ndalimin e shfaqjes duke pretenduar se ajo po realizohej pa pëlqimin e tij si trashëgimtar i artistes. Megjithatë, gjykata nuk e pranoi kërkesën, pasi shfaqjet tashmë ishin zhvilluar dhe nuk kishte të tjera të planifikuara.
Sipas dokumenteve të çështjes, Carrà kishte vendosur ta adoptonte ish-bashkëpunëtorin e saj sepse nuk kishte fëmijë biologjikë. Pas vdekjes së artistes më 5 korrik 2021 në moshën 78-vjeçare, ai mbeti trashëgimtari i vetëm ligjor i pasurisë dhe i të drejtave të saj artistike. Fondacioni që mban emrin e artistes ka konfirmuar se adoptimi ishte bërë me qëllim që veprat dhe projektet bamirëse të Carrà të vazhdonin edhe pas vdekjes së saj. Sipas deklaratës së fondacionit, Bulzoni tashmë po punon për projekte solidariteti dhe aktivitete kulturore që mbajnë gjallë trashëgiminë e artistes italiane. Në media italiane është përmendur se pasuria e Carrà mund të arrijë deri në rreth 300 milionë euro, duke përfshirë prona të shumta dhe të drejta autorësie mbi një karrierë të jashtëzakonshme artistike.