Botë e Çuditshme

Zbulohet kandili i detit më i vjetër i gjetur ndonjëherë!

Kandili i detit më i vjetër i gjetur ndonjëherë deri më tani quhet Burgessomedusa phasmiformis. Ai u zbulua në një fosil që daton 505 milionë vjet më parë dhe u gjet në malet shkëmbore të Kanadasë, gjatë një fushate gërmimi mes viteve ’80-90. Identifikimi i specieve të reja është publikuar nga studiuesit në Muzeun Mbretëror të Ontarios në revistën ”Proceedings of the Royal Society Biological Sciences”.

Zbulimi tregon se kandili i detit, me një trup tipik në formë pjate ose zileje, kishte evoluar tashmë më shumë se 500 milionë vjet më parë. Burgessomedusa, në veçanti, ishte në gjendje të notonte lirshëm dhe ishte e pajisur me tentakula me të cilat mund të kapte pre me përmasa të konsiderueshme, ashtu si kandili ”modern” i detit. ”Të gjesh kafshë të tilla tepër delikate të ruajtura në shtresat shkëmbore në majë të këtyre maleve është një zbulim i mrekullueshëm”,-tha Jean-Bernard Caron, paleontolog dhe bashkautor i studimit.

Kandili i detit fillon jetën e tij në formën e larvave që enden të bartura nga uji, derisa të gjejnë një mbështetje shkëmbore për t’u ankoruar. Në këtë pikë metamorfoza ndodh në polipe (të mos ngatërrohet me oktapodët), koloni klonesh që riprodhohen me shpejtësi në mënyrë aseksuale përmes lulëzimit. Çdo individ gjeneron një tjetër të afërt dhe identik me veten. Studimi është publikuar në PNAS.