Kërkesat që Kievi t’i tërheqë trupat nga pjesa e Donbasit që ende e ka nën kontroll, vazhdon të jetë pengesë drejt përparimit në bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe me Rusinë. Këtë e bëri të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Bisedimet për paqe po zhvillohen me shpejtësi dhe Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë trysni të madhe për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.
Statusi i centralit bërthamor të Zaporizhjas, i cili kontrollohet nga Rusia, është një çështje tjetër që duhet të zgjidhet, tha Zelensky. Një armëpushim do të ishte i nevojshëm, nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti.
Pasi Shtetet e Bashkuara paraqitën një plan për paqe me 28 pika, që favorizonte dukshëm Rusinë sipas kritikëve, Ukraina dhe vendet europiane po kërkojnë ndryshime që do ta bënin marrëveshjen më të baraspeshuar e mbi të gjitha, do të siguronin mbrojtjen e Ukrainës ndaj ndonjë sulmi rus në të ardhmen.
Kievi i dorëzoi SHBA-ve një plan me 20 pika, më herët gjatë kësaj jave.
Ne i dërguam ekipit amerikan një version të rishikuar të dokumentit kornizë me të cilin punuam. Ai përfshin 20 pika kyç. Ky mund të jetë themeli për gjithçka. Po pres përgjigje nga Amerika, tha Zelensky para më shumë se 30 udhëheqësve të vendeve të “Koalicionit të vullnetit”.
Teksa Rusia dha pak shenja se është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat e vjetra, zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas po shtjellojnë hollësitë. Zelensky zhvilloi një diskutim “të thellë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, shefin e Mbrojtjes, Pete Hegseth e të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.
Amerika propozon tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesa e fortifikuar e rajonit të Donjeckut të cilën e kontrollon ende dhe teorikisht, kompromisi është që trupat ruse nuk do të hyjnë në këtë zonë, ku Uashingtoni kërkon të vendosë një “zonë të lirë ekonomike”. Ata nuk e dinë se kush do ta qeverisë këtë territor. Rusia e quan “zonë të demilitarizuar”.
Ai shtoi se ukrainasit duhet ta thonë fjalën e tyre për çdo lëshim territorial të propozuar, “qoftë përmes zgjedhjeve ose një referendumi”.