Bota

Zelensky kërkon mbrojtje më të mirë ajrore, pas raketave ruse që vranë 25 vetë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve që t’i ofrojnë Ukrainës mbrojtje më të mirë ajrore, duke përfshirë avionë luftarakë, pasi dje një breshëri raketash ruse goditën zonat e banuara.

Një forcë ajrore moderne, pa të cilën mbrojtja ajrore efektive është e pamundur. Gjithçka është e nevojshme për të ofruar siguri në qytetet e në fshatrat tona, si në brendësi ashtu edhe në vijën e frontit.

Ai dënoi sulmin në qytetin Uman ku u vranë 23 persona, përfshirë katër fëmijë. Edhe në rajonin e Dnipropetrovskut, një nënë dhe vajza e saj trevjeçare gjetën vdekjen nga granatat ruse.

Dhjetë ndërtesa banimi u goditën nga raketat në qytetin qendror të Ukrainës, Uman, në rajonin Cherkasy. Një bllok pallatesh u shkatërrua. Tetëmbëdhjetë persona u plagosën, nëntë prej të cilëve po trajtohen në spital.

E keqja ruse mund të ndalohet me armë, mbrojtësit tanë po e bëjnë këtë. Mund të ndalet edhe me sanksione. Sanksionet globale duhet të rriten!

Prej kohësh, presidenti ukrainas kërkon për shumë më tepër armë, një shtrëngim të masave ndëshkuese ndërkombëtare kundër Rusisë e monitorim më të mirë të zbatimit të kufizimeve të eksportit të vendosura deri tani.

Ndërkohë sot, një zjarr i madh shpërtheu në një depo karburanti në Gadishullin e Krimesë në Ukrainë, të aneksuar nga Rusia. Autoritetet ruse thanë se shpërthimi i së shtunës është rezultat i një sulmi me dron. Konfirmohet se një rezervë karburanti është në zjarr në rrethin e Gjirit Kazakia të qytetit port të Krimesë, Sevastopol.

Autoritetet ruse informojnë se situatën e kanë nën kontroll dhe bëjnë të ditur se nuk ka asnjë kërcënim për infrastrukturën civile.

Sevastopoli është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi, e goditur nga një seri sulmesh me dronë që kur në shkurt të vitit të kaluar filloi ofensiva e Rusisë në Ukrainë. Për sulmet, zyrtarët rusë kanë fajësuar forcat ukrainase.