Aktualitet

Zgjedhjet e 11 majit/ Këshilli i Ministrave miraton fondin shtesë prej 150 milionë lekë për të mbështetur partitë politike

Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond shtesë prej 150 milionë lekësh për mbështetjen e partive politike në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas vendimit, efekti financiar i parashikuar do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Një shtesë fondi në programin “mbështetje për partitë politike”, për financimin e fushatës zgjedhore të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhjet për kuvend të datës 11 maj 2025.

LEXO EDHE:  PD ankohet sërish në KQZ për Bashën: Përdor faqet tona në Facebook e Instagram, u ka ndryshuar dhe emrin

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 88, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Për financimin e fushatës zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë të  datës 11 maj 2025, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, i cili u shpërndahet subjekteve zgjedhore, pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Efekti financiar, i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2025. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.