“Sirisë do t’i duhen deri në katër vjet për të mbajtur zgjedhje”. Kjo u deklarua nga udhëheqësi de facto i vendit, Ahmed al-Sharaa, gjatë një interviste. Hera e parë që ai jep një kohë të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve, që nga rrëzimi nga pushteti i Bashar al-Assadit këtë muaj.
“Hartimi i një kushtetute të re mund të zgjasë deri në tre vjet”, u shpreh Sharaa për transmetuesin shtetëror saudit “Al Arabiya”.
Do të duhet rreth një vit që sirianët të shohin ndryshime drastike.
Komentet nga Sharaa, i cili drejton grupin “Hayat Tahrir al-Sham” që rrëzoi Assadin nga pushteti më 8 dhjetor, vijnë ndërsa qeveria e re në Damask, po kërkon të sigurojë fqinjët e saj se është shkëputur nga rrënjët e dikurshme që e lidhnin me militantët islamikë.
Fushata e rrufeshme e grupit i dha fund luftës civile 13-vjeçare, por ka ngritur një mori pyetjesh në lidhje me të ardhmen e vendit shumetnik, prej dekadash nën sundimin autoritar të familjes Assad dhe ku vendet e huaja, mes tyre Turqia e Rusia kanë interesa të forta e që përplasen.
Ndërsa shumë fuqi perëndimore e mirëpritën fundin e sundimit të familjes Assad në Siri, mbetet e paqartë nëse grupi do të imponojë një sundim të rreptë islamik apo do të tregojë fleksibilitet e do të shkojë drejt demokracisë.
“Hayat Tahrir al-Sham”, i njohur më parë si Fronti Nusra, do të shpërbëhet.
Grupi ka qenë i lidhur me Shtetin Islamik dhe Al-Kaedën, por duket se ka hequr dorë prej tyre, duke kërkuar të ripozicionohet si forcë e moderuar.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se statusi i bazave ushtarake ruse do të jetë objekt i negociatave me udhëheqësit e rinj të Damaskut.
Sharaa shpreson që administrata e Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, të heqë sanksionet e vendosura ndaj Sirisë.
Diplomatët e lartë amerikanë që vizituan Damaskun këtë muaj, thanë se Sharaa shihet si pragmatist dhe se Uashingtoni vendosi heqjen e një shpërblimi prej 10 milion dollarësh për kapjen e tij.