Në katër komunat e veriut të Kosovës ku dje u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme, pushteti do të ndahet mes dy partive shqiptare pas bojkotit masiv të serbëve që aty përbëjnë shumicën. Kandidatët e Vetëvendosjes fituan në Leposaviç e në Mitrovicën e Veriut, me respektivisht 100 e 519 vota në total. Ata janë Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq. Në Zubin Potok e Zveçan u shpallën fitues kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, Izmir Zeqiri me 196 vota e Ilir Peci me 114. Në Zveçan, vetëm një kandidate ishte serbe, Sllagjana Pantoviç.
Në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47% e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre. Megjithë këtë pjesëmarrje kaq të ulët, procesi i zgjedhjeve cilësohet “legjitim”. Tashmë, komunat veriore me shumicë serbe kanë katër kryetarë të zgjedhur.
Reagime ndërkombëtare pas zgjedhjeve
Megjithë bojkotimin masiv që iu bë zgjedhjeve në veri nga serbët dhe partitë politike serbe, Ambasada Amerikane në Prishtinë, tha se “janë në përputhje me kërkesat kushtetuese e ligjore të Kosovës”.
Mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e përforcojnë këtë demokraci. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë. Pjesëmarrja ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullsisë së cilës i shërbejnë. Votimi është liri thelbësore e shoqërive demokratike.
Pas zgjedhjeve në veri të Kosovës reagoi dhe presidenti i Serbisë. Aleksander Vuçiç i cilësoi “pushtuese”, ndërsa kryeministrja Ana Bërnabiç, duke postuar foto të policëve të Kosovës pranë qendrave të votimit, shkroi:
Këto janë imazhet që me të vërtetë përshkruajnë sundimin e ligjit dhe kuptimin e vërtetë të zgjedhjeve demokratike në Kosovë, të mbështetura nga Bashkimi Europian dhe vendet e Quint-it.
Vuçiç e Bërnabiç kritikuan ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se “qëllimi i tyre është pamundësia e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.