Bota

Zgjedhjet për kryebashkiak të Nju Jorkut/Kush do të fitojë?

Votuesit e qytetit të Nju Jorkut janë gati të zgjedhin sot një kryetar të ri bashkie, në një zgjedhje të paprecedentë, pasi votimi i parakohshëm përfundoi gjatë fundjavës. Kandidati kryesor demokrat, anëtari i Asamblesë, Zohran Mamdani do të përballet me ish-guvernatorin Andrew Cuomo, i cili kandidon si i pavarur, si edhe me kandidatin republikan, Curtis Sliwa.

Sondazhet e fundit tregojnë se Mamdani ruan epërsinë e tij, por disa prej tyre thonë se Cuomo po e ngushton hendekun, sipas CBS-it. Ndërkohë, AFP bën një portret të shkurtër të këtyre kandidatëve.

Zohran Mamdani, favoriti surprizë

I panjohur deri pak muaj më parë, Zohran Mamdani, fitues i zgjedhjeve paraprake demokrate në qershor, mund të bëhet, në moshën 34 vjeç, një nga kryebashkiakët më të rinj të Nju Jorkut. Sondazhet e tregojnë atë më shumë se 10 pikë përpara Andrew Cuomo-s.

Një mysliman progresiv, identifikohet si socialist dhe u drejtohet të rinjve dhe votuesve me prejardhje emigrantësh. Pikat kryesore të platformës së tij përfshijnë kontrollin e qirasë ose edhe ngrirjen e qirasë si dhe kujdesin ditor e transportin publik falas.

I lindur në Ugandë në një familje me origjinë indiane, shkoi në Nju Jork në moshën 7- vjeçare dhe u bë shtetas amerikan i natyralizuar në vitin 2018. Nëna e tij është regjisorja, Mira Nair dhe babai, profesor në Universitetin e Kolumbias.

Andrew Cuomo, kandidat i pavarur

Ish-guvernatori Andrew Cuomo, 67 vjeç, po kthehet si kandidat i pavarur katër vjet nga dorëheqja, pas akuzave për ngacmim dhe sulm seksual, të cilat nuk u vërtetuan. I lindur dhe i rritur në Kuins në një familje italo-amerikane, ai është djali i Mario Cuomo-s, vetë një ish-guvernator dhe ishte i martuar me Mary Kerry Kennedy-n, vajzën e Bobby Kennedy-t.

Themeluesi i HELP USA, një kompani e specializuar në strehim të përballueshëm, shërbeu në administratën e presidentit demokrat Bill Clinton, në Departamentin e Strehimit dhe Zhvillimit Urban.

Rekordi i tij si guvernator i shtetit nga viti 2011 deri në vitin 2021 “u njollos” gjithashtu nga menaxhimi i pandemisë COVID-19 në azilet e të moshuarve.

Curtis Sliwa, republikan

Me beretën e kuqe të “Engjëjve mbrojtës” (grupi i vigjilentëve që themeloi në fund të viteve 1970 për të patrulluar sistemin e metrosë së qytetit të Nju Jorkut) – Curtis Sliwa, 71 vjeç, është një republikan kritik ndaj Donald Trump-it, veçanërisht për emigracionin.

Një vendas nga Bruklini, ky ish-menaxher i “McDonald’s” në Bronks i mbijetoi një rrëmbimi dhe atentati mafioz në vitin 1992. Prezantues radiofonik popullor që nga vitet 1990 e kandidat i mundshëm për kryetar bashkie në vitin 2021, tha se hodhi poshtë disa oferta profesionale dhe financiare për t’u tërhequr në favor të Andrew Cuomo-s.

Temat e fushatës së tij përfshijnë sigurinë dhe pastërtinë, koston e jetesës, refuzimin e elitave, çmontimin e burokracisë, kujdesin për shëndetin mendor dhe mirëqenien e kafshëve. Çifti Sliwa jeton i rrethuar nga shumë mace që i ka shpëtuar rrugëve të qytetit.