Publikohen detaje të reja nga zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi në Tiranë, në fillim të qershorit. Sipas informacioneve, mësohet se Armand Shakaj, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar për zhdukjen e mikut të tij të ngushtë, përdori një karrotrec për të transportuar drejt zonës së Ibës, automjetin brenda të cilit mendohet se gjendej trupi i Koçit.
Sipas hetuesve, kjo manovër u krye për t’iu shmangur kontrolleve rutinë të policisë dhe për të mos ngjallur dyshime gjatë lëvizjes së makinës. Nga verifikimet e kamerave të sigurisë rezulton se trupi i Koçit mund të jetë mbajtur në mjet për rreth një ditë e gjysmë, pasi kontaktet e fundit të tij me familjarët datojnë më 4 qershor.
Policia identifikoi e mori në pyetje drejtuesin e karrotrecit.
Referuar dëshmisë së tij, automjeti i Shakajt u transportua pranë një servisi në zonën e Ibës, pasi ky i fundit i tha se makina pati pësuar defekt. Dëshmitari deklaroi se pas dorëzimit të mjetit u largua dhe nuk kishte dijeni se çfarë mund të kishte brenda.
Ndërkohë, në ambientet e zyrës ku dyshohet se u mbajt Eglant Koçi, ekspertët konstatuan gjurmë mbetjesh baruti. Grupi hetimor është në pritje të rezultateve të ekspertizës laboratorike, që të hidhet më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Prej ditësh, policia po zhvillon kërkime intensive në dy drejtime kryesore, gjetjen e trupit të Eglant Koçit në zonat përreth Tiranës, Elbasanit e Librazhdit, si dhe lokalizimin e arrestimin e Armand Shakajt, i cili vijon në arrati.
Burime të sigurta bëjnë me dije se 41-vjeçari ka ndryshuar të paktën gjashtë numra telefoni gjatë ditëve të fundit, në një përpjekje të vazhdueshme për të shmangur lokalizimin nga strukturat ligjzbatuese.