Bota

Zhvillimet në Lindjen e Mesme, ja çfarë dihet deri tani!

Izraeli vazhdoi edhe sot sulmet kundër atyre që i ka përshkruar si “shënjestra të regjimit” iranian, ndërsa një ditë më parë, nga sulmet e shtetit hebraik e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u vranë lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë.

Republika Islamike është zotuar për hakmarrje të ashpër dhe po shënjestron Izraelin e bazat amerikane në disa vende të rajonit, si Bahrein, Kuvajt, Emirate të Bashkuara Arabe. Këto të fundit raportojnë se po i rrëzojnë dronët edhe raketat e nisura nga Irani.

Në Iran, rrugët janë të mbushura me njerëz të ndarë në ndjesi. Disa i gëzohen lajmit për vdekjen e Khamenei-t, të tjerë vajtojnë për të.

Derisa të gjendet figura e re në krye të shtetit, autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se Alireza Arafi është përzgjedhur si zëvendësues i përkohshëm i Khamenei-t në këshillin shtetëror që përbëhet nga presidenti Masud Pezeshkian dhe kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.

Rusia, aleate e Iranit, shprehu ngushëllime për vrasjen e Khameneit ndërsa aktin e ka përshkruar si “cinik”.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë potencial të ndikojnë në të gjithë botën, pasi raportohet se shumë cisterna me naftë janë bllokuar në Ngushticën e Hormuzit nga ana e Iranit.