Presidenti Joe Biden miratoi një deklaratë federale të emergjencës për zjarret e Kalifornisë, që do të mundësojë fonde dhe burime për të luftuar flakët. Biden paralajmëroi se rimëkëmbja e zonës do të marrë kohë.
Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit u përball me katër zjarre me rrezik që vranë të paktën dy persona, dogjën mbi 1000 ndërtesa dhe detyruan qindra mijëra njerëz të evakuohen.
Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Los Anxhelos ishte përgatitur për një ose dy zjarre të mëdha pyjesh, por jo katër, veçanërisht duke patur parasysh këto erëra të qëndrueshme dhe lagështinë e ulët, tha shefi i zjarrfikësve të qarkut Los Anxhelos, Anthony C. Marrone.
Ai shtoi se mbi 2 mijë hektarë janë djegur dhe zjarri po vazhdon të përhapet.
Nuk kemi asnjë përqindje kontrolli.
Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që t’i kushtojnë vëmendje urdhrave të evakuimit dhe të largohen kur të udhëzohen. Dy mijë anëtarë të Gardës Kombëtare janë dislokuar për të ndihmuar zjarrfikësit vendas.
Në Palisadet e Paqësorit, zjarri kalonte nga një shtëpi në tjetrën, i shtyrë nga erërat e forta me fuqi uragani. Në të njëjtën zonë, zjarrfikësit thanë se uji pati shteruar.
Patëm një kërkesë të jashtëzakonshme për sistemin tonë në Palisades, njoftoi Janisse Quiñones, drejtuese dhe inxhiniere kryesore në Departamentin e Ujit dhe Energjisë në Los Anxhelos. E çuam sistemin deri në ekstrem. Kërkesa për ujë ishte katër herë mbi nivelin… për 15 orë rresht.
Avionët mbështetës që ishin ndalur nga erërat e forta, u ngritën sërish në ajër, duke hedhur ujë dhe lëndë anti-zjarr.
Mbi 400 mijë shtëpi dhe biznese mbetën pa energji në të gjithë Los Anxhelosin, sipas faqes në internet poweroutage.us.
Uashingtoni po mbështet përpjekjet për shuarjen e zjarrit të Kalifornisë me katër avionë të mëdhenj cisternë të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara dhe u njoftua se është nisur edhe një i pestë shtesë.
Qeveria federale po ndihmon edhe me 10 helikopterë përpjekjet për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë, dhjetëra zjarrfikëse të Shërbimit Pyjor u vendosën në gatishmëri për t’u dislokuar.