Me zjarret shkatërruese që vazhdojnë të shpërthejnë në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që deri tani iu kanë marrë jetën 16 vetëve, disa persona kanë filluar të punësojnë kompani private zjarrfikëse. Më së shumti janë qytetarë të pasur që mund të përballojnë të paguajnë kontraktorët, në përpjekje për të shpëtuar shtëpitë.
Në kohë normale, kostoja e një shërbimi të tillë është rreth 1 mijë dollarë, por gjatë një emergjence kaq të rëndë mund të paguhet deri në 5 mijë. Për shumë njerëz të pasur, ky është një çmim i vogël për të mbrojtur vila luksoze që kushtojnë miliona dollarë.
Madje, ka edhe nga ata që janë ofruar të paguajnë deri në 100 mijë dollarë për t’u vendosur në krye të listës, duke zgjedhur të mos presin. Pa përmendur hidrantët privatë që mund të instalohen, por që kushtojnë rreth 100 mijë dollarë, plus një tarifë prej 35 mijë dollarësh që duhet t’i paguhet ujësjellësit për të pasur akses në ujë.
Ndërkaq, sa vjen e rritet zemërimi, si dhe shtohen polemikat mes banorëve për menaxhimin e zjarreve, që kanë shkatërruar mbi 10 mijë ndërtesa, duke shkaktuar të paktën 150 miliardë dollarë dëme materiale. Yjet e Hollivudit po mobilizohen. Sharon Stone e Halle Berry dhurojnë rroba, Angelina Jolie pret miqtë e zhvendosur në shtëpinë e saj. Meksika dhe Kanadaja dërgojnë ndihma. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom urdhëroi një hetim për mungesën e ujit. Po ashtu, ftoi për të vizituar zonat e prekura, presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili e akuzoi për keqmenaxhim. Nga ana tjetër, rimëkëmbja do të kërkojë ndihma federale të konsiderueshme.
Mbi 153 mijë persona kanë marrë urdhër për evakuim, por nuk mbaron me kaq. Nga nesër dhe deri të mërkurën e 15 janarit pritet një tjetër valë me erëra të forta që favorizojnë përhapjen e flakëve. Në terren luftohet pa pushim për të mundësuar vënien e tyre nën kontroll, por beteja është shumë e vështirë për momentin.