Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rëndohet bilanci i viktimave të zjarreve që kanë shkatërruar Los Anxhelosin, duke u rritur në 16 aktualisht. Në terren, zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë për të frenuar përhapjen e flakëve para se të rikthehen erërat e fuqishme. Për shkak të tyre, zjarret mund të devijohen në qytet.
Pesë njerëz vdiqën nga zjarri “Palisades” dhe 11 të tjerë nga ai “Eaton”, njoftuan zyrtarët në Los Anxhelos.
Numri i konfirmuar i njerëzve që humbën jetën ishte 11 ndërsa autoritetet prisnin rritje me vazhdimin e kërkimeve në lagjet e rrafshuara. Zyrtarët hapën një qendër ku të raportohen të zhdukurit. Erërat mund t’i lëviznin zjarret drejt Muzeut “J.Paul Getty” dhe Universitetit të Kalifornisë, në Los Anxhelos.
Dje në mbrëmje, Cal Fire raportoi se zjarret “Palisades”, “Eaton”, “Kenneth” e “Hurst” kanë djegur rreth 160 kilometra katrorë tokë në Los Anxhelos. Në një përmbledhje të postuar online, Michael Traum nga Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë tha se 150 mijë njerëz në qarkun e Los Anxhelosit janë nën urdhra evakuimi e mbi 700 qëndrojnë në 9 qendra strehimi.
Cal Fire saktësoi se zjarri “Palisades” është lokalizuar në masën 11% dhe “Eaton” 15%, çka nënkupton se vijon lufta për shuarjen e tyre.
Kushtet e motit ende janë kritike dhe të hënën rinisin erërat e forta.
Kostoja historike
Zjarret që filluan të martën në veri të qendrës së Los Anxhelosit kanë djegur më shumë se 12 mijë struktura. Për herë të parë, zjarrfikësit shënuan përparim të premten pasdite në zjarrin “Eaton” në veri të Pasadenës, i cili ka djegur më shumë se 7 mijë objekte, pra shtëpi, ndërtesa banimi, biznese, godina ndihmëse dhe automjete.
Shumica e urdhrave të evakuimit për zonën u hoqën, raportuan zyrtarët.
Ende nuk dihet shkaktari i këtyre zjarreve, që po cilësohen si më të mëdhenjtë në Los Anxhelos dhe vlerësimet fillestare tregojnë se me gjasa, flakët kanë shkaktuar dëme masive, si kurrë më parë. Referuar një përllogaritjeje fillestare nga AccuWeather, dëmet dhe humbjet ekonomike luhaten mes shifrave 135 e 150 miliardë dollarë, deri tani.