Zjarret shkatërruese që po përhapen në Los Anxhelos kanë shkaktuar kaos, ndërsa shpërthimi i një tjetër zjarri të fuqishëm në Hollywood Hills ka bërë që të qarkullojnë fotot dhe videot të rreme në mediat sociale.
Këto pamje, që tregojnë shenjën ikonike të Hollywood-it duke u djegur, janë të pavërteta. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, përfshirë “Independent”, shenja e njohur mbetet e paprekur, pasi zjarri duhet të kalonte mbi një autostradë për të arritur deri te ajo.
Megjithatë, efekti i tymit ka bërë që dritat e shenjës të zbehen, duke e bërë atë më pak të dukshme. Pavarësisht spekulimeve, tabela mbetet në vend dhe nuk është e prekur nga flakët.
Zjarret që kanë përfshirë zonën e Los Anxhelosit kanë shkaktuar deri tani 5 viktima dhe kanë shkatërruar më shumë se 2,000 ndërtesa.
Mbi 150,000 banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, ndërkohë që shërbimet e urgjencës janë në luftë të vazhdueshme për të frenuar përhapjen e flakëve, të cilat janë intensifikuar nga erërat e forta.
Një nga llogaritë e njohura në platformën X, “Raw Alerts”, ka qenë ndër të parat që ka shpjeguar se imazhet e shpërndara në lidhje me shenjën e Hollywood-it janë të manipuluara nga “inteligjenca artificiale”.
Zjarri që po përhapet aktualisht në Los Anxhelos është duke goditur kryesisht zonën e Studio City, shumë larg vendndodhjes së shenjës që është e vendosur në Hollywood Hills, mbi malet Santa Monica dhe majën e malit Lee.