Konfirmohen zërat se Joachim Loew do të largohet nga pankina e Kombëtares së Gjermanisë. Përpara se kontrata e tij të skadonte ishte vetë tekniku që e bëri të ditur lajmin. Me anë të një njoftimi të shpërndarë nga Federata Gjermane e Futbollit, bëhet e ditur se “Jogi” do të mbyllë aventurën menjëherë pas finaleve të Kampionatit Europian.
Kontrata aktuale e Loew skadon menjëherë pas finaleve të Botërorit 2022 por ka vendosur të përshpejtojë largimin e tij nga drejtimi i “Panzerave”. Mediat gjermane bëjnë të ditur se pas 15 vitesh në pankinë, presioni është rritur ndjeshëm ndaj teknikut, si dhe kujtojnë se si atij iu kërkua dorëheqja pas humbjes turpëruese 6-0 kundër Spanjës në Ligën e Kombeve, nëntorin e kaluar.
Joachim Loew u ul në pankinën e përfaqësueses së Gjermanisë në vitin 2006, ndërsa arriti të fitojë Kupën e Botës në Brazil në vitin 2014. Që atëherë Gjermania nuk ka fituar asnjë trofe, por statistikat janë mbreslënëse. Në 189 ndeshje, Loew ka fituar 120, ka barazuar 38 dhe ka humbur 31. Tani mbetet për t’u bërë e ditur se cili do të jetë pasardhësi i tij në kombëtaren gjermane. Prej kohësh flitet se dy kandidatët kryesorë janë Jurgen Klopp e Hansi Flick.
Disa muaj më parë, në qeverinë e futbollit gjerman pati një përçarje në opinione për shkak të zgjedhjes së bërë për të konfirmuar për momentin qëndrimin e Loew në stolin e 4 herë kampionëve të botës pas humbjes poshtëruese 6-0 ndaj Spanjës.
Në një sondazh të kryer nga ‘Kicker’, 90% e personave që morën pjesë ishin për shkarkimin e Joachim Loew nga drejtimi i përfaqësueses gjermane por thuhej se kishte dy faktorë që e ndihmuan të mbante postin e tij në drejtimin e Gjermanisë. Faktori i parë është mungesa e një trajneri të nivelit të lartë për të marrë menjëherë drejtimin e skuadrës.
Jurgen Klopp dhe Hansi Flick, kandidaturat më të përmendura në atë kohë ishin në kontratë me klubet e tyre respektive, Liverpool dhe Bayern, ndërsa Rangnick i cili ishte i lirë nuk i bindte plotësisht drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit. Faktori i dytë me gjasa vendimtar për të ardhmen e Loew ishte fakti që Gjermania në mbi 100 vjet histori ka patur 10 trajnerë dhe çdo ndryshim është bërë pas dështimeve të bujshme të ndodhura në kampionate botërore apo evropiane.