Vetëm dy javë pas fillimit të sezonit, KF Tirana ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Vangjel Mile.
Klubi bardheblu njoftoi zyrtarisht se palët kanë rënë dakord për t’i dhënë fund kontratës “në mënyrë konsensuale”, pas një takimi mes teknikut dhe bordit drejtues.
LEXO EDHE: Nga yll europian në depresion, Çoriç: Ndihesha si Yamal, por Roma më shkatërroi!
Sipas komunikatës zyrtare, ky vendim u mor për arsye strategjike dhe në funksion të objektivave të klubit, duke e konsideruar si zgjidhjen më të mirë për momentin.
Mile, i cili e nisi sezonin në pankinën e bardhebluve, largohet pa arritur të vendosë vulën e tij te skuadra, pasi drejtoi vetëm dy ndeshje zyrtare, duke grumbulluar vetëm 1 pikë.
“Tirana falënderon Vangjel Milen për kontributin dhe korrektësinë e treguar gjatë kësaj periudhe”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Ky është ndryshimi i parë i madh te bardheblutë për sezonin e ri, ndërsa pritet që në ditët në vijim të emërohet pasuesi i Miles në pankinë.
Ai që pritet të drejtojë bardheblutë në vijim është një emër që vjen nga Italia, por që njeh mirë futbollin shqiptar. Roberto Bordin, italiani i cili drejtoi për disa javë Elbasanin në sezonin e kaluar, pritet të jetë në drejtimin e bardhebluve.
Ndihmësi i Bordin në drejtimin e Tiranës do të jetë Marko Veroneze. Ky i fundit, ka qenë asistenti i Xhani De Biazit në pankinën e Shqipërisë pas larimit të Paolo Tramexanit nga stafi i tij dhe ndoqi ish-trajnerin e Kombëtares edhe te aventura te Deportivo Alavesh në Spanjë.