Luka Modrić do të vazhdojë të jetë pjesë e Milanit edhe për një tjetër sezon. Klubi kuqezi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së mesfushorit kroat deri më 30 qershor 2027, duke i dhënë fund çdo dileme për të ardhmen e tij.
Në njoftimin zyrtar, Milani vlerësoi kontributin e veteranit kroat, duke theksuar se ai është kthyer në një pikë referimi për mesfushën falë eksperiencës, cilësisë dhe lidershipit të treguar si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.
“Luka ka vendosur eksperiencën dhe cilësinë e tij në shërbim të skuadrës. Një nga futbollistët më të mëdhenj dhe më përfaqësues në futbollin botëror, ai do të vazhdojë rrugëtimin me fanellën kuqezi me ambicien për të arritur objektiva të rinj,” thuhet në komunikatën e klubit.
Gjatë sezonit të kaluar, Modrić regjistroi 37 paraqitje dhe shënoi dy gola me fanellën e Milanit, ndërsa edhe në sezonin e ri do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën me numrin 14.
Me këtë rinovim, Milani siguron vazhdimësinë e një prej lojtarëve më me përvojë në skuadër, duke besuar se 40-vjeçari do të ketë sërish një rol të rëndësishëm në objektivat e klubit.
Edhe Francesco Camarda është pranë zyrtarizimit të rinovimit të kontratës me Milanin. Sulmuesi i talentuar, i lindur në vitin 2008, ndodhet në selinë e klubit kuqezi për të firmosur marrëveshjen e re, e cila do ta mbajë të lidhur me klubin deri në verën e vitit 2031.
Me këtë lëvizje, Milani “blindon” një prej talenteve më premtues të akademisë së tij, vetëm pak orë pasi veproi në të njëjtën mënyrë edhe me Christian Comotto.
Strategjia e klubit është e qartë: të sigurojë me kontrata afatgjata futbollistët e rinj më të talentuar, duke shmangur përsëritjen e rasteve si ai i Mattia Liberalit, i cili u largua nga Milani dhe iu bashkua Comos.
Camarda konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit italian dhe drejtuesit kuqezi e shohin atë si një pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë të klubit.