Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza raporton se nga sulmet ajrore izraelite në territorin palestinez u vranë 16 persona, mes tyre tre fëmijë. Gjashtë vetë u vranë në bombardimet gjatë natës në Han Junis, në jug të Rripit të Gazës, njoftoi zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal. Dy djem të moshave dy dhe pesë vjeç, humbën jetën kur një sulm goditi një ndërtesë në Al-Mavasi.
Kjo agjenci shtoi se dhjetë persona gjetën vdekjen në sulmin në një tendë në Al-Mavasi. Në mesin e tyre edhe një fëmijë e shtatë gra. Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar edhe pse më herët në mëngjes raportoi se ka “goditur më shumë se 100 objektiva terroriste në mbarë Rripin e Gazës”, në dy ditët e fundit. Izraeli pretendon edhe se janë gjetur armatime e kanë vrarë “një numër terroristësh” në jug të Gazës.
Në një tjetër zhvillim, një raketë e gjuajtur sot nga Jemeni drejt Izraelit, ra pranë “Ben Gurionit”, aeroportit kryesor ndërkombëtar të Izraelit. Për shkak të sulmit, autoritetet ndaluan përkohësisht trafikun ajror. Ushtria izraelite njofton se po heton lidhur me goditjen. Disa njerëz që ishin në aeroport, publikuan video të regjistruara me telefona e që shfaqin tym të zi në afërsi, prapa një avioni të parkuar dhe objekteve të aeroportit. Këto video nuk është mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Shërbimi i emergjencave në Izrael bëri të ditur se nuk ka raportime për lëndime serioze. Një burrë dhe një grua pësuan dëmtime të lehta dhe u dërguan në spital. Ndërkaq, dy të tjerë u trajtuan në vendngjarje. Autoritetet e aeroportit thanë se predha ra në një rrugë afër parkingut të Terminalit 3. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, kërcënoi:
Kushdo që do të na godasë, ne do t’i godasim shtatë herë më fuqishëm.
Rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani dhe që janë shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu kanë sulmuar Izraelin me raketa e dronë, si dhe anijet në Detin e Kuq, duke thënë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët, për shkak të luftës në Gaza.
Dje, rebelët jemenas deklaruan se kanë kryer sulmin e tretë me raketa ndaj Izraelit në dy ditë. Shumica e raketave të hedhura nga rebelët Huthi, që nga nisja e luftës në Gaza më 2023-shin, janë penguar nga mbrojtja ajrore izraelite. Rebelët pezulluan sulmet e tyre gjatë armëpushimit dymujor në Gaza. Por, në muajin mars, ata kërcënuan me rinisje të sulmeve për shkak të bllokadës së ndihmave humanitare në Gaza, të vendosur nga Izraeli.