Pothuajse çdo pjesë e trupit tonë dobësohet me kalimin e viteve, por gjunjët janë ndër pjesët që preken më shumë. Arsyeja është se ata janë nyje shumë komplekse, me shumë struktura që punojnë së bashku dhe që konsumohen nga përdorimi i përditshëm. Me kalimin e moshës, muskujt që stabilizojnë gjurin dobësohen, dendësia e kockave ulet, kërci që zbut fërkimin midis kockave hollohet dhe ligamentet, të cilat lidhin kockat me muskujt, humbasin elasticitetin. Si pasojë, shumë njerëz përjetojnë ngurtësi, dhimbje, kufizim të lëvizjes dhe vështirësi në aktivitetet e përditshme.
Megjithatë, ashtu si çdo mekanizëm tjetër, edhe gjunjët mund të funksionojnë mirë nëse kujdesemi për ta. Hapi i parë është të kuptojmë faktorët që rrisin rrezikun e dëmtimeve të gjurit dhe të osteoartritit. Ndër faktorët kryesorë që dëmtojnë gjunjët janë pesha e tepërt trupore, këpucët që nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme dhe lëvizjet e përsëritura që ushtrojnë shumë presion mbi nyjet. Për shembull, një studim francez i vitit 2021 zbuloi se sportistët e parkour-it pësonin mesatarisht 1.7 dëmtime të gjurit ose kyçit të këmbës për çdo 1,000 orë stërvitjeje. Edhe pse kjo shifër nuk duket shumë e lartë, dëmtimet e vogla të përsëritura mund të grumbullohen me kalimin e kohës dhe të shkaktojnë probleme afatgjata. Dhe ky rrezik nuk kufizohet vetëm te sportistët ekstremë.
Edhe kërkimet mbi balerinët profesionistë kanë treguar se dëmtimet e gjurit, si këputjet e meniskut, janë ndër dëmtimet më të zakonshme. Çdo aktivitet që përfshin ulje të forta mbi këmbë ose kthesa të shpejta të trupit ushtron ngarkesë të madhe mbi gjunjët. Për shembull, një dëmtim i ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL) mund ta mbajë një futbollist jashtë fushës deri në një vit. Studimet tregojnë gjithashtu se 10 deri në 20 vjet pas një dëmtimi të tillë, rreth gjysma e personave zhvillojnë osteoartrit të lidhur me dëmtimin fillestar. Ekziston edhe debat nëse vrapimi është i mirë apo i dëmshëm për gjunjët. Disa besojnë se vrapimi në asfalt ushtron goditje të vazhdueshme mbi nyjet. Megjithatë, një studim i vitit 2017 që krahasoi vrapuesit me personat që nuk vraponin nuk gjeti ndonjë ndryshim domethënës në rrezikun për osteoartrit të gjurit.
Në fakt, aktiviteti fizik mendohet se ndihmon në forcimin e nyjeve, madje edhe ushtrimet me peshë. Një studim i vitit 2023 tregoi se njerëzit që bëjnë ushtrime force kanë 20 për qind më pak gjasa të zhvillojnë osteoartrit krahasuar me ata që nuk ushtrohen. Forcimi i muskujve përreth gjurit, veçanërisht i muskujve kuadriceps, është gjithashtu shumë i dobishëm. Përveç përdorimit të këpucëve me amortizim të mirë dhe ushtrimeve të rregullta, është e rëndësishme të mos neglizhoni dhimbjet e lehta të gjurit. Dëmtimet e vogla mund të përkeqësohen dhe të shndërrohen në probleme kronike nëse nuk trajtohen. Nëse ndieni dhimbje, mund të përdorni një mbështetëse për gjurin ose të zgjidhni aktivitete si noti. Disa studime sugjerojnë se, për shkak se noti nuk ushtron peshë mbi nyjet, ai mund të ndihmojë në rikuperimin nga dëmtimet e lehta të gjurit dhe të ulë rrezikun e problemeve afatgjata.