24 vjet nga çlirimi i Kosovës. Më 12 qershor 1999, aty u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s e bashkë me ta, administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara. Hyrja e tyre pasoi 78 ditë bombardimesh të Aleancës Veri-Atlantike të udhëhequr nga Amerika kundër objektivave ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, Serbi e Mal të Zi. Instalimi i misionit paqeruajtës, KFOR i dha fund luftës gati dyvjeçare mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese ushtarake e policore serbo-malazeze.
Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ‘99 ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë e që një ditë më parë, befasisht kishin marrë Aeroportin e Prishtinës, me qëllimin e ndarjes së Kosovës.
Rusia synonte dërgimin e mijëra përforcimeve nga ajri, por pas ndërhyrjes nga Uashingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.
Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, Ministria ruse e Punëve të Jashtme e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj “një gabim”. Tashmë, çdo gjë tjetër është histori. Hyrja e NATO-s, ktheu në Kosovë mbi një milion shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama kujton vendosjen e NATO-s, më 12 qershor 1999, ndërsa shprehet se “sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët”. Sipas shefit të qeverisë, “pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë”.
Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!
Prandaj, bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët. Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog, jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve.