Mbushen plot 24 vjet nga Tragjedia e Otrantos. Pikërisht më 28 mars 1997, anija shqiptare “Kateri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga Marina Italiane. Në bord ndodheshin 142 persona, nga ku 81 humbën jetën dhe vetëm 61 mundën të mbijetonin. Nga viktimat, 24 trupa nuk u gjetën kurrë.
Për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve, forcat detare italiane proceduan në mënyrë të menjëhershme për të bllokuar anijen, por gjatë procedurës anija italiane ‘Sibilla’ u përplas me ‘Katerin e Radës’, fatkeqësisht duke e mbytur.
Eksodi i madh i emigrantëve shqiptarë drejt Italisë kishte kohë që kishte nisur dhe në vitet e trazuara të 1997 largimet me anije ishin të shpeshta drejt vendit tonë fqinj.
Si filloi tragjedia?
Në datën 27 mars 1997 një grup trafikantësh kishin rrëmbyer nga Saranda mjetin “Kateri i Radës” dhe e sollën atë në Vlorë. Kjo anije ishte pjesë e strukturës së Bazës Detare të Limionit, Sarandë, me numrër bordi A-451. Anija u bregëzua në molin “ZERO” të Portit të Vlorës dhe deri në mbasditen e datës 28 mars 1997 në të u imbarkuan rreth 115 vetë për lundrimin në tokën e premtuar, drejt Italisë.
“Kateri i Radës” u nis nga Porti i Vlorës me 115 vetë në mbasditen e datës 28 mars 1997 me destinacion Brindisin, duke lundruar nëpërmjet Kanalit Jugor të Gjirit të Vlorës. Kapiten i anijes “Kateri i Radës” (A-451) ishte Namik Xhaferri. Sapo “Kateri i Radës” (A-451) doli nga Kanali Jugor i Gjirit të Vlorës u identifikua nga fregata italiane “ZIFERO” (F 577). Kapiteni i fregatës “ZIFERO (F-577) i bëri disa thirrje “Katerit të Radës” për t’u kthyer mbrapa, por thirrjet ishin të pasuksesshme. Në kuvertën e “Katrit të Radës” dalloheshin rreth 30 vetë.







Në pamundësi të ndalimit të “Katerit të Radës, fregata “ZIFERO” (F-577) ia kaloi detyrën karvetës “SIBILA” (F-588). Tashmë “Kateri i Radës” kishte mbërritur në mes të Kanalit të Otrantos.
Veprimet e komandantit të korvetës “SIBILA” (F-588), kapiten i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, u bënë agresive. Në orën 16:30 ai bëri një manovër kërcënuese duke iu afruar “Katerit të Radës” më shumë se normat e lejuara. Afrimi ishte fatal dhe “Kateri i Radës” u përmbys dhe mbyt menjëherë. Korveta “SIBILA” (F-588) kishte një tonazh prej 1300 ton, kurse “Kateri i Radës” prej vetëm 40 ton.
Pas mbytjes së “Katërit të Radës, ndihma e korvetës “SIBILA”(F-588) nuk ishte e menjëhershme. Nga 115 veta që gjendeshin në bord, 34 vetë mundën të mbijetonin dhe u transferuan në Brindisi.
Në 19 tetor 1997, pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxorri nga 823 metra thellësi anijen “Kateri i Radës” (A-451). Brenda në anije u gjenën 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë.