Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të marrë pjesë këtë të shtunë në festimet për 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës në National Mall në Uashington, një ngjarje që ai e ka cilësuar si një “tubim spektakolar”.
Ceremonia, e organizuar përmes një partneriteti privat-publik me mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë, do të përfshijë fluturime të qindra avionëve ushtarakë dhe civilë, si dhe një spektakël gjigant fishekzjarrësh, që organizatorët synojnë ta bëjnë më të madhin e zhvilluar ndonjëherë në kryeqytetin amerikan.
Fluturimet ajrore do të zhvillohen çdo orë, duke nisur nga ora 13:15 sipas kohës lokale deri në perëndimin e diellit. Në një prej formacioneve do të marrë pjesë edhe avioni presidencial Air Force One.
Megjithatë, festimet janë shoqëruar me kritika. Kundërshtarët e Trump e akuzojnë presidentin se po e politizon një festë kombëtare, ndërsa disa grupe muzikore janë tërhequr nga programi pas publikimit të axhendës së aktivitetit.
Organizatorët përballen edhe me sfida të tjera, pasi temperaturat pritet të arrijnë rreth 38°C, të shoqëruara me lagështi të lartë. Gjithashtu, parashikimet meteorologjike sinjalizojnë mundësi për stuhi në mbrëmje, të cilat mund të ndikojnë në zhvillimin e ceremonive.
Gjatë një aktiviteti në North Dakota më herët këtë javë, Trump deklaroi me humor se do të mbante një “fjalim vërtet të gjatë”, duke shtuar se dëshironte “të tregonte se mund të bëjë gjithçka”.
Festimet zyrtare do të nisin në orën 19:00 sipas kohës lokale. Pas fjalimit të presidentit do të zhvillohet spektakli i fishekzjarrëve, të cilin Trump e ka cilësuar si “më të madhin në histori”.
Sipas organizatorëve, rreth 850 mijë fishekzjarre do të hidhen nga 10 pika të ndryshme në të gjithë qytetin, përfshirë tetë platforma mbi lumin Potomac River. Shfaqja pritet të zgjasë rreth 40 minuta, dyfish më shumë se spektakli tradicional i 4 Korrikut, i cili zakonisht përfshin rreth 20 mijë fishekzjarre.