Sot mbushen 27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë dhe që nisi në fshatrat e Drenicës, Likoshan e Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Pas kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat, ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.
Në rrethimin e fshatrave, armiku përdori artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë tanke, siç kujton KosovaPress.
Që në ditën e parë të luftimeve, armiku kreu masakrat ndaj civilëve dhe vetëm në familjen Ahmeti vrau 11 persona. Pas pak ditësh, më 5 mars 1998, ushtria dhe policia serbe rrethuan familjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Familja Jashari rezistoi për tri ditë dhe tri netë në luftimet kundër armikut.
Me luftën e Prekazit, tani çdo gjë ishte e qartë dhe në Kosovë, nuk do të kishte të ndalur lufta për liri. Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova, 15 mijë u vranë, 2 mijë e 400 prej tyre ranë dëshmorë. Forcat serbe kryen shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje e shumë të tjera.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë zhdukur rreth 5 mijë njerëz dhe ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave. Më shumë se 20 mijë gra u dhunuan.
Gjatë periudhës kohore mars 1998-qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1 mijë e 100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar më tepër se 200 mijë shtëpi, banesa, biznese, punëtori, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore e fetare.
Bombardimet e NATO-s filluan më 24 mars të vitit 1999 duke shënjestruar objektiva ushtarake jugosllave. Me përkrahjen tokësore të UÇK-së, NATO detyroi forcat serbe të largohen nga Kosova dhe atë që njihej si Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçin të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë.