Mijëra njerëz pritet të ndjekin sot ceremonitë përkujtimore të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, më e rënda në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore kur forcat serbe në Bosnje vranë 8 mijë burra e djem myslimanë. Eshtrat e 50 personave, të zbuluara kohët e fundit do të vendosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjes hynë në Srebrenicë, zonë e shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara e në pak ditë vranë 8 mijë vetë, duke ua groposur trupat në pyjet përreth. Identifikimi dhe varrimi për një pjesë, vazhdon ende.
Masakra e Srebrenicës ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje e nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si genocid. Deri tani, 47 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burg për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, si dhe ish-komandanti, Ratko Mlladiç u dënuan me burgim të përjetshëm. Liderët politikë të serbëve në Bosnje e Beogradi zyrtar refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë pati genocid, ndërsa masakrën e quajnë “krim të madh”.
Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjen, Valentin Inzko, e shpalli “të paligjshëm mohimin e genocidit dhe të krimeve të luftës”, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg. Ligji shkaktoi zemërim te serbët e Bosnjes, që udhëhiqen nga Milorad Dodik. Për këtë arsye, ai nisi procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori e sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri.
Në Europë nuk ka vend për mohimin e genocidit dhe nderimin e kriminelëve të luftës”. Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët të kryediplomatit europian Josep Borrell dhe eurokomisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhely, në 27 vjetorin e genocidit të Srebrenicës. Borrell dhe Varhely ndajnë mendimin se ende edhe sot, “paqja nuk mund të merret e mirëqenë”. Zyrtarët e lartë europianë i referohen agresionit rus në Ukrainë, për të cilin theksojnë se “ka rikthyer një luftë brutale në kontinentin tonë”. “Vrasjet masive dhe krimet e luftës në Ukrainë sjellin kujtime të gjalla të atyre që u dëshmuan në luftërat në Ballkanin Perëndimor, në vitet ‘90”, – nënvizohet në deklaratën e përbashkët.
Në seancën plenare të 7 korrikut, me asnjë votë kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projekt-rezolutën për dënimin e genocidit serb në Srebrenicë. Në votim morën pjesë 113 deputetë. Dokumenti i propozuar nga socialistët, u bazua në rezolutat e Parlamentit Europian dhe në vlerësimet e Komisionit Europian mbi genocidin në Srebrenicë, akte që dënojnë mohimin e genocidit dhe nderimin e autorëve e të mbështetësve të tij. Krahas dënimit të mohimit të genocidit në Srebrenicë, gjithashtu rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë synon të dënojë retorikën politike që nxit urrejtjen ndëretnike, duke mohuar genocidin në Srebrenicë e të tjera krime, të kryera në luftërat e ish-Jugosllavisë.