Aktualitet Rajoni

4 burgime të përjetshme grekut që masakroi familjen shqiptare në Peloponez!

Masakra e marsit të vitit të kaluar në Andravidha të Peloponezit në Greqi, gjykata vendos dënimin me katër burgime të përjetshme për grekun Sakis Varvaresos. Në mënyrë të pamëshirshme, 61-vjeçari eliminoi familjen shqiptare, duke vrarë me armë zjarri 32-vjeçarin Armando Kloci e bashkëshorten Maria, si dhe mbyti dy fëmijët e tyre të mitur, që ende nuk kishin mbushur 2 dhe 3-vjeç.

Drejtuesja e Prokurorisë së Shkallës së Parë në Patra, Konstantoula Athanasopoulou theksoi se “i pandehuri ka vepruar me egërsi të veçantë dhe ka dashur t’i eliminojë si familje”. Athanasopoulou nuk hezitoi kur e quajti “një kriminel!”.

Duke iu referuar skenës së krimit dhe mënyrës së veprimit të tij, vuri në dukje se “ai vrau, qëlloi, mbyti, tërhoqi zvarrë, lau dhe do të kishte vazhduar të pastronte vendin e krimit, por ishte i pafat sepse djali tjetër i familjes trokiti në derë. Më pas ndërroi rrobat, u largua për në Patra, fshehu armën dhe nuk bashkëpunoi me policinë për gjetjen e saj”.

Gjithashtu, prokurorja e çështjes hodhi poshtë të gjitha pretendimet për çrregullim mendor e humbje të kujtesës nga Varvaresos, duke theksuar se i akuzuari nuk ka histori psikiatrike e shtoi se ka një koherencë të vërtetë në të gjitha veprimet e tij.

Vrasja e katërfishtë tronditi opinionin publik në Greqinë fqinje. Trupat e pa jetë të Armando e Maria Klocit u gjetën në depon e shtëpisë. Zbulimin e bëri djali 12-vjeç që shkoi në shtëpi me një shokun e tij. I mituri nga martesa e parë e 28-vjeçares Maria, tani jeton me babain e tij.

Para se të ekzekutonte viktimat, autori iu kishte prerë energjinë elektrike. Krimi dukej i paramenduar, agresori donte të zhdukte gjurmët e familjes së vrarë. Por, kur ai pa që e zbuloi djali tjetër, atëherë u largua, për t’u arrestuar disa orë më vonë nga policia. Në fillim nuk e ka pranuar krimin, por më pas e pohoi, me justifikimin se vrasjet i bëri për arsye se familja shqiptare nuk i kishte paguar qiranë e dy muajve të fundit.