Sport

55 milionë euro për një 22-vjeçar! Bayerni mbyll një tjetër supertransferim

Bayern Munich ka zyrtarizuar një tjetër goditje të rëndësishme në merkaton e verës, duke siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurti.

Futbollisti gjerman, i lindur në vitin 2003, ka firmosur një kontratë afatgjatë me kampionët e Gjermanisë, e cila do ta mbajë në “Allianz Arena” deri në verën e vitit 2031.

Sipas mediave gjermane, Bayern ka paguar rreth 55 milionë euro për kartonin e Brown, duke konfirmuar besimin e madh që klubi ka te një nga talentet më premtues të futbollit gjerman.

Brown vjen pas një sezoni mjaft pozitiv me Eintracht Frankfurtin dhe sapo ka përfunduar angazhimin me kombëtaren e Gjermanisë në Kupën e Botës 2026. Me shpejtësinë, forcën fizike dhe aftësinë për të kontribuar në të dy fazat e lojës, ai konsiderohet si një investim për të tashmen dhe të ardhmen e Bayernit.

Me këtë transferim, bavarezët vazhdojnë të forcojnë skuadrën për sezonin e ri, me synimin për të rikthyer dominimin në arenën europiane dhe për të luftuar për të gjithë trofetë.