Bota Politikë

A do të përfundojnë luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme në 2025?

Që nga sulmi vdekjeprurës i Hamas më 7 tetor, në të cilin u morën pengje, Izraeli ka qenë i përfshirë në një sërë konfliktesh kundër Iranit dhe aleatëve të tij, duke vënë theksin në eliminimin e kërcënimeve të sigurisë dhe të sigurojë që një ngjarje e tillë nuk mund të përsëritet kurrë.

Izraeli ka kërkuar të shkatërrojë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban dhe e gjeti veten në konflikt të drejtpërdrejtë me Iranin – financuesin kryesor të këtyre grupeve militante islamike, megjithëse deri më tani nuk ka një luftë të plotë mes dy vendeve, me pëjashtim të sulmeve sporadike me raketa.

LEXO EDHE: Plani sekret i Kinës për të dërguar armë në Libi, si u shfrytëzuan kompanitë e regjistruara në Britani/ Dronë në këmbim të naftës

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në Siri, Izraeli ka goditur një numër objektivash atje, të tilla si depo të dyshuara të armëve kimike.

Por a do të përfundojnë luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme në vitin 2025?

Fawaz A. Gerges, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në London School of Economics, shprehet se konflikti 100-vjeçar Izrael-Palestinë do të përfundojë vetëm kur Izraeli t’i japë fund pushtimit të tokave palestineze dhe t’u japë fqinjëve të tij të drejtën e vetëvendosjes.

“Përplasja intensive do të përfundojë në vitin 2025, por do të ketë përplasje të tjera herët a vonë.

Siç ka thënë vazhdimisht kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, armëpushimi Izrael-Hezbollah dhe (me gjasë) armëpushimi Izrael-Hamas nuk do të thotë fundi i luftërave të Izraelit.

Si koalicioni i udhëhequr nga Netanyahu ashtu edhe opozita kundërshtojnë me forcë krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Nëse ky është rasti, Izraeli përballet me rrezikun e një lufte të përjetshme”, shprehet ai.

Gjatë vitit të kaluar, Izraeli ka arritur shumicën e synimeve të tij në luftën që Hamasi dhe Hezbollahu nisën kundër tij në fillim të tetorit 2023.

Hamasi u mund si një fuqi ushtarake dhe qeveritare në Gaza, Hezbollahu pësoi një goditje të rëndë që e privoi atë nga aftësia për të penguar dhe kërcënuar Izraelin.

Këto janë rrethana të favorshme për t’i dhënë fund luftërave të Izraelit gjatë vitit 2025 dhe për t’i përkthyer arritjet ushtarake në një lëvizje politike me shtetet e moderuara arabe dhe ndoshta edhe me palestinezët.

LEXO EDHE: Rrëzimi i avionit me 38 të vdekur në Kazakistan, të mbijetuarit kthehen në Azerbajxhan

Nuk është e qartë nëse kjo i shërben interesave politike të kryeministrit Benjamin Netanyahu apo nëse ai është i aftë për një lëvizje të tillë për shkak të presionit nga partnerët e tij politikë.

Prandaj, ai që do të vendosë realisht nëse lufta në rajon do të marrë fund dhe do të bëhet me presion ekonomik dhe jo ushtarak kundër Iranit, është Donald Trump.

Në vitin 2022, kryeministri i atëhershëm Naftali Bennett e krahasoi Iranin me një oktapod, tentakulat e të cilit – Hezbollahu, Hamasi, Huthi, etj. – po përpiqen të mbytin Lindjen e Mesme. Bennett bëri thirrje për prerjen e kokës së oktapodit. Kjo nuk ka ndodhur ende.

Por, për të përdorur metaforën e Benetit, shumica e tentakulave të oktapodit me të vërtetë janë dobësuar rëndë nëse nuk janë eliminuar plotësisht.

Aleati më i madh i kryeministrit Netanyahu, Donald Trump, nuk i pëlqen luftërat – ato nuk janë të mira për biznesin – dhe kështu ndjekja e një lufte në shkallë të gjerë nga Izraeli nuk ka gjasa të vijojë.

Alex Vatanka, nga Instituti i Lindjes së Mesme, shprehet se është shumë e vështirë të paraqesësh rënien e regjimit të Asadit në ndonjë mënyrë tjetër veçse si humbje për Iranin dhe Boshtin e Rezistencës.

Të gjithë analistët iranianë e pranojnë këtë dhe shumica gjithashtu pranojnë se 14 muajt e fundit – që nga sulmet e 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit – kanë qenë viti më i keq për Boshtin e Rezistencës.

Siç e dimë, qëndrimi mbrojtës i Iranit në dekadat e fundit ishte ndërtuar rreth tre shtyllave: programi bërthamor, raketat dhe përdorimi i përfaqësuesve pro-Iranit në rajon.

Në zemër të kësaj strategjie qëndronte ideja se Irani duhet të luftojë amerikanët nga Lindja e Mesme. Sapo Amerika të ishte jashtë rajonit, Izraeli do të binte, kështu ka qenë edhe mendimi i Ali Khameneit.

Por tani, Hamasi është shkatërruar pothuajse tërësisht; Hezbollahu është dobësuar jashtëzakonisht; Assad është zhdukur.

Shumica e analistëve iranianë presin që forcat pro-Iraniane në Irak dhe në Jemen do të jenë të radhës, ndërsa SHBA dhe Izraeli vazhdojnë të shpërbëjnë Boshtin e Rezistencës në të gjithë rajonin.

Ndërkohë, disa realitete të reja janë se Rusia është e angazhuar nga lufta në Ukrainë dhe nuk e ndihmon shumë strategjinë ushtarake rajonale të Iranit.

Nga ana tjetër, izraelitët duken të vendosur të vazhdojnë të godasin Iranin dhe përfaqësuesit e tij në Liban dhe Siri, dhe së shpejti ndoshta në Irak dhe Jemen.

Rënia e Asadit po ngre gjithashtu pyetje më themelore në Teheran.

Zyrtarët iranianë thonë se regjimi i Asadit humbi mundësinë për të qëndruar në pushtet në muajt e fundit për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së tij.

Kjo ngre një pyetje shumë më të madhe për të ardhmen e Boshtit.

Por a mund t’i kontrollojë Irani këta anëtarë të Boshtit? Për shembull, iranianët ishin shumë të frustruar që regjimi i Asadit nuk e ndihmoi atë vitin e fundit në konfliktin me Izraelin.

Avi Shlaim, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Kolegji St Antony, Universiteti i Oksfordit, thekson se luftërat e Izraelit në Lindjen e Mesme nuk kanë gjasa të përfundojnë në vitin 2025.