Bota

A do të vaksinohen ushtarakët?! Pentagoni merr vendimin!

Së fundmi, Pentagoni ka thënë se do ta bëjë të detyrueshme vaksinën kundër koronavirusit për shërbyesit ushtarakë, tani që vaksina Pfizer/BioNTech ka marrë miratimin e plotë nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA). Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, kujtoi se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka premtuar që në fillim të këtij muaji se do të marrë masa, pasi FDA-ja ta miratojë plotësisht vaksinën.

Kirby tha se udhëzimet janë duke u zhvilluar dhe se afati kohor do të publikohet në ditët në vijim. Vaksina Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim emergjent që në dhjetor, ndërsa të hënën ka marrë miratimin e plotë nga FDA-ja.

Në një memorandum më 9 gusht, Austin ka thënë se do të kërkojë miratimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për ta bërë vaksinën të detyrueshme jo më vonë se në mes të shtatorit, ose menjëherë pas licencimit nga FDA-ja. Pentagoni ka thënë se ushtria ka mjaft vaksina për t’i përmbushur kërkesat.

Sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, deri më 18 gusht, më shumë se 1 milion anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan janë vaksinuar plotësisht. SHBA-ja ka në përdorim tri vaksina kundër koronavirusit: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson. Kirby tha se vendimi i Pentagonit do të vlejë vetëm për vaksinën Pfizer/BioNTech.

Ndërkaq, Rregullatori i barnave në Indi ka miratuar vaksinën e parë të ADN-së në botë kundër COVID-19 për përdorim urgjent. Sipas studimeve dhe testimeve të kryera nga prodhuesi i vaksinave “Cadila Healthcare”, vaksina me tre doza ZyCoV-D parandaloi sëmundjen simptomatike në 66% të atyre që u vaksinuan. Kjo është vaksina e dytë e Indisë që prodhohet në vend dhe firma planifikon të prodhojë deri në 120 milionë doza në vit.