Kompania “Meta” paralajmëroi së fundi se Facebook dhe Instagram mund të mbyllen në të gjithë Evropën. Ky paralajmërim lidhet me rregullat evropiane të të dhënave që pengojnë Meta-n, kompaninë e njohur më parë si Facebook, të transferojë, ruajë dhe përpunojë të dhënat e evropianëve në serverët me bazë në SHBA.
Në raportin e tij vjetor drejtuar Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve të SHBA-së, autoriteti financiar i vendit, “Meta” pretendon se është jetike për biznesin e saj që të përpunojë të dhëna si në BE ashtu edhe në SHBA për të bërë që operacionet e saj dhe biznesi i shënjestrimit të reklamave të funksionojnë në mënyrë të përsosur. Edhe pse për një moment ekzistoi frika dhe paniku, shumë shpejt erdhi një tjetër reagim nga kompania gjigande.
“Meta”, kompania amë e Facebook-ut, ka thënë se nuk planifikon të tërheqë shërbimet nga Evropa. Kjo mundësi është diskutuar pas mospajtimeve për transferim të të dhënave evropiane në Shtetet e Bashkuara. Të dhënat janë kyçe për reklamim të bizneseve, të cilat gjenerojnë gati të gjitha miliarda dollarët e kompanisë.
Marrëveshja për të dhënat në internet, “Mburoja e Privatësisë” mes Evropës dhe SHBA-së, është shfuqizuar në korrik të vitit 2020 me një vendim të gjyqësorit të BE-së, që ka përballur kompanitë e mëdha teknologjike me pasiguri të madhe. “Meta” ka thënë se u është drejtuar edhe rregullatorëve të tregjeve amerikane, duke thënë se baza që përdor për transferim të të dhënave po rrezikohet ligjërisht.
Lidhur me këtë lajm, ne në Top Albania Radio ngritëm një sondazh ku pyetëm ndjekësit në rrjet se a duhet të mbyllet Instagram dhe Facebook apo jo. Rezultatet ishin deri diku të pritshme ku pjesën më të madhe të votave e ka marrë alternativa ‘jo’. 66% e personave që janë përgjigjur kanë shprehur se Instagram dhe Facebook nuk duhet të mbyllen. Nga ana tjetër 24% të personave janë përgjigjur se do të ishte mirë që këto rrjete sociale të mbylleshin. 10% nuk kanë qenë të sigurtë për përgjigjen e tyre.