Lifestyle Love & Sex Magazine

A mund të jenë miqtë “partnerët e vërtetë të jetës”? Libri që po sfidon konceptin e dashurisë romantike…

Gazetarja dhe autorja amerikane Rhaina Cohen ka zgjuar debat me librin e saj më të ri “The Other Significant Others: Reimagining Life With Friendship at the Center”, ku sfidon bindjen tradicionale se vetëm marrëdhëniet romantike duhen konsideruar në qendër të jetës së një personi.

Frymëzimi për librin erdhi nga një përvojë personale. Cohen tregon se, ndërsa ishte në një lidhje romantike me burrin që sot është bashkëshorti i saj, zhvilloi një miqësi të jashtëzakonshme dhe shumë të fortë me një grua.

Lidhja e tyre ishte aq e thellë sa ngjante me një romancë, por ishte plotësisht platonike.

Ajo kujdesej për mua më shumë se çdo shoqe tjetër më parë – kombinonte magjinë e një zanë me kujdesin e një nëne

-kujton autorja.

Në librin e saj, Cohen sjell histori të shumta reale që tregojnë se miqësia mund të jetë po aq e rëndësishme sa një martesë.

Ajo përfshin rrëfime nga njerëz të moshave, gjinive dhe orientimeve të ndryshme, të cilët jo vetëm ndajnë jetën, por shpesh edhe shtëpinë, financat apo rritjen e fëmijëve – ashtu si çiftet e martuara, por pa seks.

Një nga shembujt më të spikatur është ai i Barbit dhe Inezit, dy gra në të 80-at që kanë qenë të pandara për më shumë se 50 vjet. Përveç një shtëpie, ato ndajnë llogari bankare dhe madje një adresë emaili.

Po aq e pazakontë është edhe historia e Andrew dhe Tolyt, dy shkencëtarë heteroseksualë, miqësia e të cilëve është aq e fortë sa ua bëjnë të qartë partnereve që nga fillimi se lidhja e tyre është “jo-monogame”, sepse përfshin një vend të pazëvendësueshëm për mikun.

Cohen ngre edhe pyetje sociale dhe ligjore: a duhet që miqësia të gëzojë të njëjtat të drejta si martesa?

Për shembull, a duhet njerëzit të kenë të drejtë për leje zije kur humbasin një mik të ngushtë? A duhet të ndajnë të drejta trashëgimie?

Disa vende tashmë kanë nisur ndryshime: Suedia ka njohur të drejtat e trashëgimisë për miqtë që bashkëjetojnë, ndërsa Gjermania po përgatit një ligj që barazon miqësinë me martesën në disa aspekte ligjore.

Sipas psikologut Eli J. Finkel, një martesë mund të forcohet kur bashkëshortët kanë miq të ngushtë që ofrojnë mbështetje emocionale dhe e lehtësojnë presionin mbi marrëdhënien romantike.

Në këtë këndvështrim, miqësia nuk është konkurrente e dashurisë, por një shtyllë që e bën atë më të qëndrueshme.

Libri i Cohen, tashmë i vlerësuar si një antologji e rrallë mbi fuqinë e miqësisë, ngre një pyetje thelbësore: ndoshta sekreti i një jete të lumtur nuk gjendet vetëm tek dashuria romantike, por tek miqtë që zgjedhim si “partnerë të tjerë të rëndësishëm” në udhëtimin tonë.