Pas 9 vitesh rrëmbimi, Pooja Gaud ka mundur më në fund të përqafojë sërish të afërmit e saj. Vajza u zhduk në Mumbai të Indisë 22 janarin e vitit 2013. Atëherë, ajo ishte vetëm 7 vjeçe. Një çift, Harry D’Souza dhe gruaja e tij Soni, sipas raporteve nga BBC iu afruan të miturës përpara shkollës ku mësonte, me justifikimin për t’i ofruar një akullore dhe e morën me vete.

Vajza, sot 16 vjeçe, nuk reshti kurrë së kërkuari familjen e saj. “Më kanë rrahur me rrip, më kanë goditur me grushte. Një herë më kanë rrahur me okllai aq fort sa nga shpina më ka rrjedhur gjak. Jam detyruar të punoj 12-24 orë, larg shtëpisë”, tha e arratisura tashmë e rrethuar nga familja e saj e vërtetë. Shumë vite pas rrëmbimit, një ditë vajza pati guximin të hynte fshehurazi në telefonin e rrëmbyesve duke kërkuar emrin e saj në YouTube.

Dhjetëra apele me foton e saj u shfaqën në ekran, duke përfshirë disa numra telefoni për t’u kontaktuar. Por ajo ishte gjithmonë nën vëzhgimin e çiftit që e kishte rrëmbyer dhe për Pooja-n ishte e vështirë të gjente një rrugëdalje. Megjithatë, shtatë muaj më vonë, ajo arriti të fliste për këtë me Pramila Devendra, një kolege e saj 35-vjeçare nga shtëpia ku adoleshentja punonte si kujdestare. Gruaja e kishte vënë në kontakt me nënën e saj, e cila e kishte njohur menjëherë.