Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio Fiona Todhri, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale. Si është e mundur që kur njerëzit përfshihen në një eksperiment si “Big Brother Vip” kanë tendenca për të nxjerrë nga vetja anë agresive?
Në emër të lojës cilësohen dhe anashkalohen shumë gjëra. Izolimi është përjetim individual. Janë shumë faktorë që ndikojnë. Ata janë qënie sociale dhe kur humbasin lidhjet me jetën jashtë e vuajnë sepse i mungon dhënia dhe marrja e emocioneve. Tjetra është mungesa e afeksionit, njerëzit kanë nevojë për një marrëdhënie të ngrohtë, për nevoja seksuale, psikologjike dhe kur këto nuk përmbushen njerëzit kalojnë në neuroza dhe psikoza. Duke qëndruar për një kohë të gjatë aty ata e kanë humbur realitetin sepse punojnë vetëm për një qëllim. Ne e provuam vetë karantinën. Ishim përballë një virusi dhe e provuam izolimin dhe pasojat që po i ndiejmë edhe sot. Në kudrin e lojës izolimi patjetër që ka pasoja, edhe ata që kanë marrë pjesë dhe janë eliminuar kanë thënë që nuk është e lehtë ta marrësh veten. Ndryshimet që bën produksioni i lodh psikologjikisht sepse duhet të ndërtojnë vazhdimisht skema të reja. Një pjesë e tyre janë prindër që kanë lënë jashtë fëmijë, bashkëshortë. Një tjetër ka lënë një biznes, një problem të pazgjidhur dhe normalisht kanë ankthe, sjellje agresive. Mendoj që banorët e vjetër e kanë ndërtuar një sistem vlerash dhe të rinjtë e kanë shumë të vështirë të hyjnë. Do bien në grackën e banorëve të vjetër. Aty ti tregon vlerat, instiktet dhe dëshirat e tua. Përjeton një krizë identiteti sepse ndryshon komplet realitet dhe kjo krizë të çon në probleme të personalitetit ose në probleme të shëndetit mendor. Në kushte të vështira njerëzit kërkojnë të përmbushin nevojat e tyre dhe nëse nuk i përmbushin dot mund të bëhen agresivë. Është një sprovë për të njohur vetveten në kushte ekstreme izolimi.