Kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj, ka shpërndarë një video në rrjete sociale ku komenton mitigun e PS, për çeljen e fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Shehaj e quan mitingun maskaradë.
“Kanë gjysmën e qeverisë në burg për korrupsion se kanë vjedhur qytetarët dhe vetë janë jashtë, jo sepse janë të ndershëm por sepse nuk iu ka ardhur rradha akoma” .
Partia “Mundësia” nisi zyrtarisht fushatën elektorale me një tur të pandërprerë që përshkoi Shqipërinë nga Shkodra në Sarandë, duke ndaluar në çdo qytet të madh për të takuar qytetarë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre.
Nga Saranda, kryetari Agron Shehaj, u shpreh se forca e tij politike po tërheq vëmendjen dhe ka fituar besimin e qytetarëve, pasi nuk merret me “bufa e këneta”, por flet për Shqipërinë që mundohet t’ia dalë me punë të ndershme, duke takuar qytetarët aty ku ata punojnë.
Shqiptarët kanë një potencial të jashtëzakonshëm dhe këtë e tregojnë sa herë që u jepet mundësia në vendet e tjera, por shqiptarët vijojnë të jenë populli më i varfër në Europë për shkak të shtetit dhe politikës që i pengon.
Në Shqipëri, shqiptarët nuk kanë pasur mundësinë t’ia dalin dhe janë detyruar të ikin jashtë, sepse politika nuk i ka lejuar.
Të gjithë sipërmarrësit që takoj më thonë të njëjtën gjë: Agron, unë ia kam dalë me krahët e mi, unë s’kam marrë asgjë nga politika. Kjo është historia e çdo shqiptari.
Shqiptarët kanë një potencial të jashtëzakonshëm, një këmbëngulje e ambicie të jashtëzakonshme dhe kur gjejmë mundësitë në Perëndim, arrijmë suksese të jashtëzakonshme. Po si është e mundur që një popull kaq i aftë vazhdon të jetë një nga popujt më të varfër në Europë? Për një arsye: sepse kanë pasur një shtet dhe një politikë që i ka penguar, deklaroi ai.
Ajo që na dallon nga të gjithë të tjerët, theksoi Shehaj, nuk është vetëm fakti se jemi të vetmit që nuk jemi përlyer në pazare, por jemi dhe të vetmit që nuk ju themi se shteti do t’i bëjë më të pasur, u themi se shteti nuk do t’i pengojë.
Plani dhe vizioni ynë është ta bëjmë Shqipërinë vendin ku secili nga ne t’ia dalë me punë, tha Shehaj.