Thirrjes së kryetarit socialist, Edi Rama mbi dorëzimin e një drafti për marrëveshjen e re për Shqipërinë, deputetja Elisa Spiropali iu përgjigj me paraqitjen e një mocioni në Asamblenë e PS-së.
Në një deklaratë për gazetarët, Spiropali tha se dokumenti është i hapur dhe kërkon të adresojë kërkesat e problematikat e shqiptarëve përmes energjisë së PS-së.
Sapo dorëzova në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime, premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit.
Nuk është vetëm një dokument imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar kryetarit të PS-së, anëtarëve dhe Asamblesë.
Do të jetë i hapur sepse çdo marrëveshje për Shqipërinë s’mund të hartohet nga 1 apo 10 individë, por të shprehë vullnetin e shumicës shqiptare që në këtë moment kërkon më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit e qytetarit, model ekonomik që i përgjigjet nevojave.
Të rinjtë si pararojë të kërkesave për ndryshim, presin më shumë nga ne dhe unë kam gjithë besimin që kjo shumicë qeverisëse dhe PS-ja i ka të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.
Deputetja socialiste tha se mocioni nuk paraqet kurrsesi fraksion apo përçarje.