Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Agron Shehaj në Berat: Flasin për BE-në, por fondet për fermerët i vodhën!

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, në takimin elektoral të zhvilluar në Berat, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, tha se kryesocialisti Edi Rama flet për BE-në, por në fakt në qeverisjen e tij u vodhën 130 mln euro fonde të dedikuara për fermerët nga BE.

 Shehaj tha se Evropë për Ramën do të thotë “para” dhe vjedhja është modeli i tyre.

“Ca është bërë me paratë që duhet të shkonin për fermerët. Ishin parashikuar 130 mln euro. Për këto para fliste Rama sot në mëngjes. Erdhën paratë nga BE dhe i morën kryetarët e bashkive, familjarët  e tyre. Nuk ka shembull më të mirë se ata janë aty për tu pasuruar. Dhe 100 mln euro që do të sillte Be, nuk i disbursuan. Duan thjesht të vjedhin”, tha Shehaj.

Agron Shehaj, theksoi dallimin e kësaj force politike nga të tjerat, duke vendosur theksin te përqendrimi në të ardhmen dhe lufta e vërtetë ndaj korrupsionit.

“Ne jemi parti që flasim për të ardhmen. Ne jemi një parti që kemi një plan dhe një projekt. Nuk drejtohemi nga urrejtja dhe nga inati,” deklaroi Shehaj përpara mbështetësve.

Ai kujtoi angazhimin e tij të deritanishëm si deputet, duke nënvizuar se kjo ka qenë vetëm një fillim i asaj që Partia Mundësia synon të bëjë në Parlamentin e ardhshëm.

“Kur e luftojmë korrupsionin e luftojmë realisht, siç e kam luftuar unë në Parlament si askush tjetër aty. Dhe ajo që kam bërë nuk është gjë në krahasim me çfarë do të bëjmë kur të jemi të paktën 10 deputetë në Parlamentin e ardhshëm. Aty do të sjellim ndryshimin e vërtetë. Dhe kështu luftohet korrupsioni në fakt” – u shpreh Shehaj.