Aktualitet

Aida Hajnajt i përfundon mandati/Ja kujt i kalon drejtimi i BKH-së!

Mandati 5-vjeçar i Aida Hajnat si drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka përfunduar ditën e sotme. Në orën 11:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi një mbledhje me një pikë në rendin e ditës: “Diskutim/miratimi i projektvendimit “për lirimin nga detyra të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”. Shkarkimi i Hajnajt u miratua me 6 vota pro.

Pas përfundimit të mandatit të Hajnajt, drejtimi i BKH do të vijohet përkohësisht nga zv.drejtori Joni Keta, njëkohësisht një nga kandidatët për drejtues. Keta po garon me 6 të tjerë, të cilët kanë kaluar të gjitha testet e kërkuara, ndërsa janë në pritje të përfundimit të procesit të verifikimit të pasurisë dhe figurës.

Lirimi nga detyra i hap rrugë zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit, procedura për të cilin ka nisur prej muajit qershor dhe aktualisht gjen nën ethet e garës 7 kandidatë Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Kjo shtatëshe e kandidatëve kaloi fazat e komisionit përzgjedhës, përbërë nga 3 prokurorët e SPAK Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, në një garë me 13 kandidatë. Ata iu nënshtruan testit për aftësitë fizike, esesë me shkrim dhe testit logjik, poligrafit dhe intervistës me gojë para komisionit.

Tashmë, i duhet të kalojnë në filtrin e një komisioni të dytë, atij për Verifikimit e Figurës dhe Pasurisë. Rreth tyre mblidhet informacion nga shërbimi sekret dhe institucione për pastërtinë e figurës përfshirë dhe rrethin familjarë të tyre, si dhe analizohen pasuritë, bazuar mbi deklaratat pranë Inspektoratit të Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. 7 kandidatët do të shortohen për t’u përcaktuar relatori nga anëtarët e Komisionit, i cili do të merret me secilin prej kandidatëve.

Pas këtij procesi, sërish është Komisioni i Përzgjedhjes, i përbërë nga treshja e SPAK-ut, që përcakton kandidatin më të mirë, i cili më tej do t’i nënshtrohet një programi trajnimi dhe do t’i dërgohet për miratim Këshillit të Lartë të Prokurorisë.