Pas aksidentit tragjik të një dite më parë në aksin rrugor Levan-Tepelenë, uniformat blu arrestuan 30-vjeçarin Syrja Begaj për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Viktimë mbeti Oktavio Merdanaj, 16-vjeç, i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Makinat e drejtuara nga i mituri dhe i arrestuari, mbrëmë u përplasën në fshatin Cakran.
Informacioni policor:
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme për një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor Levan-Tepelenë, ku humbi jetën shtetasi O.M., ju informojmë se Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin S.B., 30 vjeç, banues në fshatin Hekal, Mallakastër, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Në njoftimin e mbrëmshëm, policia informoi:
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S.B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O.M, rreth 16 vjeç.
Si pasojë e përplasjes shtetasi O.M, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.