Aktualitet

Goditi me thikë shokun e klasës në Fier, gjykata lë në burg 17 vjeçarin!

“Arrest me burg” vendosi Gjykata e Fierit për 17 vjeçarin që më 13 dhjetor goditi katër herë me thikë shokun e klasës në gjimnazin e Cakranit pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Raportohet se i mituri nuk foli gjatë seancës. Ai tha se nuk është në gjendje të flasë.

Nuk jam në gjendje që të flas, jam në ankth.

Për plagosjen me thikë të 17 vjeçarit në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha” të Cakranit, tre ditë më parë, të shtunën e 14 dhjetorit, policia e Fierit arrestoi autorin e dyshuar. Sipas njoftimit zyrtar, ndaj tij është ngritur akuza “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë. Konflikti mes dy të miturve nisi kur i dëmtuari pretendonte se bashkëmoshatari shpërndante foto të tij, në rrjetet sociale.

I lënduari vijon të qëndrojë në spital, fatmirësisht jashtë rreziku për jetën. Thika u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar:

Në vijim të informacionit paraprak për një plagosje me mjet prerës (thikë), në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha”, Cakran, ku mbeti i plagosur shtetasi i mitur, H.Xh., 17 vjeç, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin e mitur, B.D., 17 vjeç, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.  Konflikti midis shtetasve të mitur ka nisur pasi shtetasi i dëmtur H.Xh., pretentonte se autori i dyshuar, shtetasi B. D., shpërndante në rrjetet sociale fotografi të tij.

Shtetasi H.Xh., aktualisht ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Mjeti prerës (thikë), u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.