Aktualitet

Aksione kundër shitjes së lëndëve piroteknike në Tiranë dhe Fier!

Policia e Tiranës ka sekuestruar rreth 300 fishekzjarrë në disa subjekte në Tiranë, ndërsa ka nisur hetimi në gjendje të lirë për pronarët e subjekteve. Sipas njoftimit të policisë së Tiranës, si rezultat i kontrollove u goditen dy raste të shitjes së lëndëve piroteknike dhe u sekuestruan rreth 300 lëndë piroteknike.

Policia Tiranë njofton se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6, nga kontrollet e përditshme në terren, në Astir, kanë konstatuar 1 dyqan ku shiteshin lëndë piroteknike. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A.Xh, 45 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë, nga shërbimet e Komisariatit Nr.4, në rrugën “Dervish Hekali”, gjatë kontrollit në subjektin B.H, gjetën e sekuestruan një sasi lëndë piroteknike. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B.H, 66 vjeç, banues në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 300 fishekzjarrë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia apelon për qytetarët që të denoncojnë rastet e tregtimit apo përdorimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm për ndëshkimin e shtetasve përgjegjës, si dhe i këshillon ata të shmangin përdorimin e lëndëve piroteknike.

Policia e Shtetit vijon kontrollet e shtuara në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë periudhës së festave.

Policia e Fierit njoftoi se ka proceduar penalisht 3 pronarët e dyqaneve ku tregtoheshin ilegalisht lëndë piroteknike.

Sipas njoftimit të policisë, si rezultat i patrullimeve dhe kontrolleve në dyqane dhe ambiente të tjera, gjatë gjithë periudhës festive, që kryhen në zbatim të planit kombëtar të masave, kundër përdorimit dhe/ose tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, të DVP Fier, konstatuan dhe goditën 3 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.

Konkretisht, në kuadër të operacionit “Fireworks”, filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. L., D. S., 42 vjeç dhe M. S., 33 vjeç, të tre banues në Fier, pasi në dyqanet e tyre, në lagjet “Sheq i Vogël” dhe “1 Maji”, u gjetën rreth 100 kuti me fishekzjarrë dhe kapsolla që shiteshin në kundërshtim me ligjin.

Policia njofton se, kontrollet vijojnë, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret. Veprime të tilla, përveç se janë të dënueshme nga Kodi Penal, përbëjnë rrezik për shëndetin e tyre, si dhe të qytetarëve të tjerë.