Aktorja e njohur Andie MacDowell ka përcjellë edhe një herë një mesazh të fuqishëm për gratë anembanë botës: “mos u turpëroni nga vitet tuaja.” E ftuar të martën në emisionin The Drew Barrymore Show, 66 vjeçarja foli hapur për procesin e plakjes dhe presionin që shoqëria shpesh u bën grave për të dukur më të reja.
“I zgjedh të dukem ashtu siç duhet, sepse unë e dua veten time,” u shpreh MacDowell në segmentin e emisionit të dedikuar pranimit të moshës. Ylli i filmit Groundhog Day dhe nëna e tre fëmijëve i tha ish-koleges dhe moderatores Drew Barrymore se kurrë nuk do ta kishte imagjinuar gjyshen e saj, një grua të cilën e kishte respektuar thellë të ndjehej e detyruar t’i nënshtrohej presionit për t’u dukur e re.
“Ky koncept nuk ekzistonte më parë dhe tani që ekziston, na ka bërë të ndjehemi të poshtëruara teksa plakemi. Kam tre nipa të vegjël dhe do të jem gjyshja e tyre, duke u dukur ashtu siç duhet, sepse unë e dua veten. Nuk kam pse të dukem e re, dhe e vlerësoj shumë që po e sjell këtë temë në pah,”-tha ajo.
MacDowell prej kohësh është zë i fuqishëm kundër standardeve të ngurta të bukurisë që u imponohen grave të moshës së saj. Ajo e ka shprehur këtë më qartë duke e pranuar flokun e saj të thinjur, i cili tashmë është bërë pjesë e imazhit të saj. Megjithatë, ajo thekson se kjo është një zgjedhje personale. “Dy motrat e mia më të mëdha do ta lyejnë flokun gjithmonë. Mendoj se secili duhet të marrë vendimin e vet për mënyrën si ndihet me procesin e plakjes,”-është shprehur ajo më herët për People.
Në një intervistë tjetër, aktorja ka treguar se si reagon kur dikush i thotë se flokët e thinjur e bëjnë të duket më e vjetër: “Më bën të qesh kur dikush më thotë se dukem më e moshuar. Po mbush 65 vjeçe, çfarë mendoni, a dukem 75 vetëm pse i lashë flokët natyralë? Nuk më intereson. Dua të jem e moshuar. Jam lodhur duke u përpjekur të jem e re. Nuk dua të jem e re. Kam qenë e re. Por të jesh më e madhe dhe të përpiqesh të dukesh e re është një barrë e rëndë. Nuk mund ta mbaj këtë fasadë.”